Transmetuar më 15-06-2021, 15:00

U hodh në Nion të Zvicrës shorti për raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, si dhe ai për turin e parë kualifikues të kompeticionit më të ri të Europës, që nis nga ky sezon futbollistik, “Conference League”.

Shqipëria do të përfaqësohet në Champions nga ekipi i Teutës, që u shpall kampione e Kategorisë Superiore.

Shorti i vendosi përballë ekipit durrsak moldavët e Sherif Tiraspol.

Ndeshja e parë që do të zhvillohet në Durrës, në datat 6 ose 7 korrik; ndërsa kthimit në Moldavi, më 13 ose 14 korrik.

Në edicionin e parë të “Conference League” do të marrin pjesë tri skuadra shqiptare, Vllaznia, Partizani dhe Laçi, që janë njohur sot me kundërshtarët e tyre.

Të kuqtë kryeqytetas do të përballen me moldavët e Sfintul George. Ndeshja e parë në Moldavi, ndërsa kthimit në Shqipëri.

Vllaznia ka “peshkuar” boshnjakët e Shiroki Brijeg. Skuadra shkodrane do ta zhvillojë ndeshjen e parë në transfertë, më 8 korrik, ndërsa kthimin në “Loro Boriçi” më 15 korrik.

Laçi do të luajë kundër skuadrës malazeze të Podgoricës, fillimisht më 8 korrik në Shqipëri, pastaj kthimi në Mal të Zi, më 15 korrik.

Kujtojmë se finalja e këtij kompeticioni do të zhvillohet në Tiranë, në stadiumin kombëtar “Arena Kombëtare”, më 25 maj. /fredi/noa.al