Transmetuar më 15-06-2021, 12:36

Një tjetër kryebashkiak socialist u konfirmua të jetë me probleme me drejtësinë pasi ka marrë dënim me 36 muaj heqje lirie në Greqi.

Burime zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thanë për noa.al se kryetari i bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj rezulton me probleme në ligjin e Dekriminalizimit.

Pas hetimeve të kryera, pasi ky kryebashkiak u denoncua nga Partia Demokratike, Prokuroria ka arritur në përfundimin se Qerim Ismailaj ka qenë i dënuar me tre vite burg në Greqi.

Prokuroria e Përgjithshme njofton se Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, ka qenë i dënuar me tre vite burg në Greqi.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Përgjithshme thotë se “deklaruesi Qerim Ismailaj, me funksion kryetar i bashkisë Mallakastër, rezulton i dënuar me veprim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale, nga autoriteti gjyqësor i huaj. Referuar vendimit 9-11/2000 të Gjykatës së Përbërë nën Betim të Chios, i formës së prerë, rezulton se i akuzuar Qerim Ismailaj (në mungesë në gjykim), është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 3 vite burgim për veprën penale të “Konfliktit”/ “Përleshjes”, parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal të Republikës së Greqisë, që i korrespondon veprës penale të “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, e cila si sanksion parashikon dënim vetëm me gjobë”.

Ndër të tjera, Prokuroria ka njoftuar se ka marrë informacionin që Ismailaj ka qenë pas hekurave të qelisë nga viti 1999 deri në 2000, por këto “detaje” nuk ka denjuar që t’i deklarojë në formularin e dekriminalizimit.

Hetimi i Prokurorisë nisi pas denoncimit të Partisë Demokratike.

Qerim Ismailaj nuk është kryebashkiaku i vetëm që preket nga ligji i Dekriminalizimit, pasi më herët PD ka denoncuar edhe disa emra të tjerë, mes të cilëve edhe kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, që vazhdon të jetë në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Çfarë kishte deklaruar kryebashkiaku Qerim Ismailaj në formularin e dekriminalizimit?

Në formularin e dekriminalizimit, ai pohoi se kishte jetuar në Mitilini të Greqisë gjatë periudhës 1998-1999.  Më pas, deklaroi se ishte kthyer në Shqipëri, ku ka nisur punë si mësues në shkollën 8-vjeçare në Çorrush të Mallakastrës.

Më vonë, ka punuar si Sekretar i Këshillit të Qarkut në Fier derisa mori drejtimin e Bashkisë së Mallakastrës.

Denoncimi i datës 8 janar 2020 për Qerim Ismailajn, ishte i katërti nga Partia Demokratike. Që në gusht, PD nisi luftën e dekriminalizimit, duke denoncuar fillimisht Valdrin Pjetrin e Shkodrës. Pas tij, u depozituan kërkesa për Agim Kajmakun, Mark Babanin, etj.