Transmetuar më 15-06-2021, 09:36

Kontrolle të befasishme janë kryer gjatë natës duke gdhirë e marta në Vlorë, në disa ambiente, kryesisht lokale, për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Kontrollet u kryen nga Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe strukturat e DVP Vlorë.

Gjatë kontrolleve është sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak dhe u vu në pranga 41-vjeçari, Edison Begaj, poseduesi i armës.

Policia detajoi se në lagjen “Uji i Ftohtë”, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit Edison Begaj, 41 vjeç, u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me një krehër me 5 fishekë, pa leje.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 41-vjeçarit Edison Begaj, për veprat penale "Armëmbajtja pa leje" dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

41-vjeçari nga Vlora nuk është një emër i panjohur për Policinë. Ai i shpëtoi atentatit me katër plumba mesnatën e 29 majit në Kaninë të Vlorës.

Begaj ka qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit. OFL i ka dërguar Edison Begajt formularin për deklarimin e pasurisë.

Më 20 shkurt të vitit 2008, “blutë” e Vlorës arrestuan 7 persona mes të cilëve edhe Begajn, si pjesë të një grupi që merrej me trafikim droge nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Në shkurt të 2010 Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.

Ndërkaq, edhe në vitin 2015 Begaj u kap me 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë “çokollatë”, në vendin e emërtuar “Qafa e Kuzum Babasë”.

Begaj u qëllua në 29 maj me 4 plumba në hyrje të banesës së tij duke mbetur i plagosur. Plumbat e kapën në këmbë dhe 38-vjeçari përfundoi në spital, por u mbijetoi plagëve të marra.

Autorët e pritën 38-vjeçarin derisa të kthehej në banesën e tij për t’a qëlluar me pistoletë. Begaj do të ndihmoj nga errësira e madhe në zonë, pasi plumbat e kapën në pjesën e poshtme të trupit.