Transmetuar më 14-06-2021, 22:59

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha falënderoi sot nga themeluesit tek anëtarët më të rinj të PD-së, ndërsa theksoi se “me këtë votë të qartë ju vendosët se bashkë, të gjithë bashkë, do të luftojmë me gjithë forcën tonë për ndryshimin që u pengua në 25 prill”.

Në një konferencë për shtyp kryetari Basha tha se “në fund të kësaj gare ne nuk gëzojmë për fitoren e një kandidati apo zgjedhjen e një kryetari të ri, por të gjithë bashkë, ne kremtojmë vlerat që na bashkojnë, vlerat mbi të cilat ngrihet kjo familje e madhe politike. Ato të garës, të lirisë dhe të meritokracisë. Që sigurisht ne duhet dhe do t’i përsosim edhe më shumë në muajt në vijim”.

“Mirënjohja ime shkon edhe për tre kandidatët e tjerë, të cilët e bënë këtë garë të vërtetë , sfiduese dhe dinamike. Për secilin prej tyre kam një mesazh: Ne kemi mendime të ndryshme por parime të njëjta, prandaj jam i bindur se përtej diferencave, nga sot energjitë dhe përpjekjet tona do të shkojnë në drejtim të kundërshtarit të vetëm të Partisë Demokratike, dhe të shumicës dërmuese të shqiptarëve, regjimit Rama-Doshi”, – nënvizoi Basha.

Basha u shpreh se “e djeshmja nuk ishte një ditë e rëndësishme vetme për Partinë Demokratike, por për gjithë Shqipërinë. Është e tillë sepse nëpërmjet pjesëmarrjes në procesin një anëtar një votë, ju nuk ushtruat vetëm të drejtën për të zgjedhur kryetarin e ri, por nëpërmjet votës përcaktuat vijën e aksionit tonë politik. Ndaj dhe vullneti që shprehët në këto ditë të vështira për vendin, do të shërbej si udhërrëfyes në rrugëtimin tonë në shërbim të vendit. Sepse me këtë votë të qartë ju refuzuat të njihni masakrën zgjedhore të 25 prillit. Me këtë votë të qartë ju refuzuat bashkëpunimin me regjimin Rama-Doshi. Me këtë votë të qartë ju vendosët se bashkë, të gjithë bashkë, do të luftojmë me gjithë forcën tonë për ndryshimin që u pengua në 25 prill. Me këtë votë të qartë ju vendosët se do të luftojmë për të përmbushur atë që është qëllimi për të cilin jemi krijuar dhe rrojmë si parti, një Shqipëri demokratike”.

Më tej Basha tha se “me këtë votë të qartë treguat se mbani brenda vetes besimin se ne mund ta ndryshojmë këtë vend, jo me mjetet e të keqes, as me forcën e verbër të pushtetit të bërë njësh me krimin dhe oligarkinë, por forcën e vlerave, me besimin e njerëzve të lirë që pa asnjë pushtet japin gjithçka që vendi të ndryshoj për mirë. Sot jemi të gjithë të vetëdijshëm se kjo që kemi zgjedhur është rruga e drejtë por po kështu edhe rruga më e vështirë”.

“E lexoj qartë vullnetin tuaj, e dëgjoj me vëmendje zërin tuaj, i njoh zemrat tuaja ndaj e di që sot, në këtë ditë të rëndësishme të historisë sonë, nuk prisni gjë tjetër prej meje veçse t’ju them atë për të cilën erdha të kërkoj mbështetjen tuaj gjatë kësaj garë: Është koha për ne të hidhemi edhe njëherë në betejë. Edhe njëherë për demokracinë, edhe njëherë për Shqipërinë edhe njëherë për shqiptarët, deri në largimin e kësaj pakice që mban peng vullnetin e tyre. Padyshim ajo që na pret përpara nuk është më e lehtë se ajo që kemi lënë pas”, – tha Basha.

Kreu i PD-së theksoi se “me forcën që na kanë dhënë shqiptarët në 25 prill dhe me vendosmërinë që treguat nëpërmjet votës tuaj, shpresa për demokraci dhe për ndryshim nuk do të zhduket nga ky vend. Unë e di që bashkë me shumicën e shqiptarëve ne do ta rrëzojmë këtë regjim. Prandaj ne do të luftojmë çdo ditë, për çdo shqiptar, kundër çdo padrejtësie, me çdo mjet, në çdo forum, të brendshëm dhe të jashtëm, do marrim mbi supe çdo përgjegjësi që në sa më pak kohë t’i kthejmë vendit legjitimitetin dhe demokracinë. Bashkë, të gjithë bashkë, të sjellim një të ardhme më të mirë për për për fëmijët shqiptarë, për shqiptarët dhe Shqipërinë”.