Transmetuar më 14-06-2021, 20:04

Ndërsa Shqipëria regjistroi 24 orët e fundit vetëm 2 persona të infektuar dhe asnjë të vdekur, Greqia vijon të ketë dhjetëra raste të reja dhe viktima, ashtu si dhe të gjitha vendet e BE me të cilat shteti fqinjë me ne i ka hapur kufijtë duke u mjaftuar me një nga këto kushte, vërtetim vaksine, tampon ose vërtetim për kalim të kovidit.

Kur në mars 2020 u mbyllën kufijtë, pala greke e justifikoi me faktin se në Shqipëri kishte përqindje më të lartë se mesatarja e Greqisë dhe BE të të infektuarve për popullsi.

Por tani gjërat kanë ndryshuar. Në 24 orët e fundit, vendi ynë mes afro tre mijë testimeve ditore gjeti vetëm dy persona të infektuar. Spitalet janë mbyllur, në atë Infektiv ka vetëm 20 të shtruar, ndër të cilët 6 në reanimacion dhe asnjë i intubuar.

Po ashtu për ditë të tëra nuk ka viktima nga Kovidi. Dhe kjo po ndodh në kushtet kur në Shqipëri kufijtë janë krejtësisht të hapur dhe askush nuk ndalohet të hyjë. Cilido që vjen në vendin tonë nuk përballet me karantinë, tampon, vërtetim vaksine apo gjithfarë shkresurinash që po kërkohen rëndom nga vendet e BE.

Lind pyetja? A po shërben vallë pandemia si një sebep që pala greke të mos hapë kufijtë për shqiptarët.

A po synon Greqia të rikthejë de facto, regjimin e vizave me Shqipërinë duke mos lejuar pjesën më të madhe të tyre të futen në vendin fqinjë.

Praktikisht, shqiptarët janë të privuar të hyjnë në Greqi nëse nuk kanë letra greke. Pala fqinje thotë se i druhet shpërthimit pandemik, por mbi ç’bazë?

Për qytetarët që janë në hall sepse duan të shohin të afërmit e tyre, apo thjesht se duan ashtu si më parë të bëjnë shopin apo të kalojnë pushimet në Greqi, kjo lloj mbylljeje që po zgjat prej një viti e gjysmë është e pakuptimtë dhe e papranueshme.

Megjithatë, për qeverinë greke, sa kohë nuk ka zbatim të parimit të reciprocitetit nga pala shqiptare, ky zemërim i shqiptarëve nuk përbën asnjë shqetësim.

Fundja, cilido grek që dëshiron të vijë në Shqipëri, dhe janë e qindra çdo ditë, nuk e vret aspak mendjen për faktin se shqiptarët e shohin vendin e tyre ashtu si para 2010-ës, si një “mollë e ndaluese”.

Të shohim deri kur… /noa.al/