Transmetuar më 14-06-2021, 13:03

Gjykata e Tianës ka lënë në burg Jehon Breçanin, i cili akuzohet se katër ditë më parë aksidentoi një 24-vjeçare në zonën e Kinostudios.

Prokuroria e kryeqytetit çmoi se i dyshuari kishte konsumuar vepër penale për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e një qytetareve dhe kërkoi nga Gjykata që ta lërë nën masën e arrestit me burg. Kërkesa u pranua nga Gjykata.

Jehon Breçani akuzohet se në rrugën Xhanfize Keko pranë Kinostudios, duke drejtuar mjetin e tij doli nga rruga dhe përplasi në trotuar kalimtaren Xhenisa G., duke i shkaktuar plagë serioze.

Nga spitali u raportua se e reja humbi njërën këmbë për shkak të aksidentit.

Dyshimet e hetimit janë se Breçani ishte duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara e për pasojë humbi kontrollin e mjetit duke aksidentuar 24-vjeçaren ndërsa u përplas me një mur dhe më tej edhe me një pemë. /ardi/noa.al