Transmetuar më 14-06-2021, 12:50

Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese bëri që të vihet vënë në pranga një shtetas i kërkuar në Itali, për grabitje me armë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Baftjar Qosja që mbante dhe identitetin Baftjar Skarra, u kap në aeroportin e Rinasit teksa tentonte të ikte jashtë vendit, raporton noa.al.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, pas shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana me zyrën homologe në Interpol Roma/Itali, bënë arrestimin e 41 vjeçarit, banues në Tiranë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Torinos/Itali, në vitin 2019, ka lëshuar urdhër arresti për veprën penale "Organizatë kriminale" dhe "Grabitje me armë", parashikuar nga Kodi Penal italian.

Baftjari akuzohet për organizatë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave me përdorimin e armëve të zjarrit. Në rolin e drejtuesit të organizatës kriminale ai siguronte automjetet dhe armët, me qëllim kryerjen e krimeve. Ai është akuzuar dhe për mbajtje të armëve në publik.

Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe Marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë. /ardi/noa.al