Transmetuar më 13-06-2021, 19:39

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Bruksel. Takimi u njoftua nga qeveria shqiptare vetëm pak minuta para. Ndërsa në axhendln e Blinken thuhej se ky ishte i vetmi takim i tij sot në Bruksel.

Blinken ndodhet në Europë për të shoqëruar Presidentin e SHBA, Joe Biden gjatë vizitave të tij në Britaninë e Madhe, Belgjikë e Zvicër.

Zyrtarisht, pala shqiptare tha se me Blinken nënshkruan së bashku marrëveshjen SHBA-Shqipëri për koordinimin e teknologjisë 5G.

Rama ka komentuar në FB se takimi ishte shumë miqësor e i dobishëm: "U kemi kërkuar edhe të tjerëve që të bëhen pjesë dhe të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurt komunikimi dhe për ta vënë këtë korridor në duart e qytetarëve dhe institucioneve dhe të mos lejojmë që të komprometohen nga aktorë të tretë dashakeq. Është krenari për Shqipërinë të jetë krah jush. Shpresoj që së bashku të bindim edhe miqtë e tjerë në rajon të bëhen pjesë e kësaj. Jemi mirënjohës që ju kemi si partner dhe aleat”, u shpreh Rama.

Ndërsa Blinken u shpreh se partneriteti mes dy vendeve po bëhet më i fortë: “Po vendosim një shembull të fortë për të tjerët sot për nevojën për të siguruar që kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë të punojmë me shitës të besuar. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe mesazhi më i fortë për t’i dërguar të tjerëve.

Jemi mirënjohës për punën e përbashkët që ka bërë Shqipëria dhe SHBA, përfshirë këtu edhe “Defender 21”. Presim me padurim që të merrni vendin tuaj në Këshillin e Sigurimit në OKB. Kemi shumë punë të mira për të bërë edhe atje. Në të gjitha aspektet ky partneritet po bëhet më i fortë dhe më i thellë dhe ne e vlerësojmë shumë lidershipin tuaj për ta bërë këtë”, u shpreh Blinken.

***

Takimi Rama-Blinken vjen më pak se 1 muaj nga shpallja e ish-kryeministrit Sali Berisha ‘non grata’ nga SHBA. Ishte pikërisht Sekretari amerikan i Shtetit që zbuloi njoftimin dhe akuzoi Berishën për përfshirje në korrupsion.

Një ditë më vonë Berisha paralajmëroi se do e padisë Blinkenin për shpifje në një Gjykatë në Francë.