Transmetuar më 13-06-2021, 19:36

Anglia e ka fituar minimalisht ndeshjen e parë në Grupin D. Fatin e këtij 90-minutëshi e ka vendosur goli i Rahem Sterling 57′.

Një ballafaqim i dominuar nga “Tre Luanët”, me Kroacinë disi të mefshtë dhe që vuajti atletizmin e britanikëve gjatë gjithë lojës.

Pjesa e parë nisi me një shtyllë të Foden, që paralajmëroi ballkanasit se i pret një sfidë intensive. Më pas edhe Kane pati mundësinë ta zhbllokonte rezultatin, por pa ia arritur dot.

Skuadra e Dalic është e detyruar të mbrohet me forca të shumta, duke qenë nën presionin e kundërshtarit.

Modric mundohet të amortizojë diçka në mesfushë, duke mbajtur topin, por nuk ka mbështetjen e shoklëve. Po kështu, edhe Rebic mbeti i izoluar në sulm.

Pjesa e dytë ishte me të njëjtën fytyrë, me anglezët që donin të shënoinin me patjetër, të ndihmuar edhe nga tifozët, sepse ndeshja luhej në “Wembley”.

Sikurse thamë më lart, Sterling zhbllokoi shifrat, duke qetësuar të tijtë.

Që këtu, Anglia nisi të administrojë rezultatin, duke e ulur disi ritmin në fazën ofensive, por ngacmuar sërish me topat e gjatë dhe krosimet në zonën kroate.

Ballkanasit, nga ana e tyre, nuk patën forcë për të reaguar si duhet. Lodhja fizike u ndje tek ata me kalimin e minutave, teksa nisën zëvendësimet për të dyja skuadrat.

Përfundimisht, tri pikët e para të Anglisë në këtë Europian, që hakmerret për gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2018, kur Kroacia e eliminoi dhe shkoi vetë në finale ndaj Francës, për herë të parë në histori./noa.al/