Transmetuar më 13-06-2021, 13:07

Për të treguar "besnikërinë" dhe vlefshmërinë e votës së tyre dhe që vota ka shkuar ndaj kryetarit demokrat, Lulzim Basha, disa demokratë kanë fotografuar fletën e votimit.

Siç duket nga publikimet në rrjetet sociale, votuesit demonstrojnë se kanë zgjedhur Bashën për ta përfaqësuar si kryetar të PD-së në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.

Në zgjedhjet parlamentare nuk u lejua fotografimi i votës duke u cilësuar si shkelje penale që parashikonte deri në 3 vjet burgim.

Nuk dihet nëse edhe në zgjedhjet partiake ka vendime të tilla.

Gjithsesi fotografimi i votës është parë nga votuesit që i publikuan, si një demonstrim i pjesëmarrjes dhe mbështetjes së tyre, pa tendencë imponimi.

Procesi i votimit për kreun e ri të PD vijon që prej orës 8 të mëngjesit në vend dhe do të mbyllet në orën 19:00.

Në këtë garë për kryetar të PD-së janë kryetari aktual, Lulzim Basha, si dhe Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Edith Harxhi. Përjashtuar Shehajt që ishte aktiv në fushatë, dy të tjerët nuk u panë thuajse fare në fushatën më intensive që PD me në krye Bashën ka zhvilluar ndonjëherë që nga viti 2013. /xhoana/klea/noa.al