Transmetuar më 13-06-2021, 10:03

Sezoni turistik ka nisur dhe pushuesit nga vendi dhe bota po vijnë çdo ditë në jug e sidomos në Sarandë. Bashkë me plazhin ka plot prej tyre që duan të thithin kokainë. Ca sepse kështu janë mësuar aty ku jetojnë dhe ca sepse duan të shfrenohen për pushime. Por në Sarandë kanë gjetur mundësinë e artë sepse atje është edhe vetë policia e përfshirë.

Kjo situatë, duket se është kuptuar edhe nga ministria e Brendshme. Ndaj Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), siç mëson noa.al ka nisur një hetim prej disa muajsh me qëllim zbulimin dhe kapjen mat të policëve të përfshirë në trafik drogash të forta.

Për këtë, janë realizuar metoda të posaçme investigimi. Noa.al mëson se disa agjentë policie nga Tirana janë futur në rrjetin e trafikut të drogës për të kuptuar a kishte përfshirje policore.

Gjatë këtij hetimi, u grumbulluan fakte që krijuan dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se punonjësi i policisë, 37 vjeçari nga Saranda Lavdosh Metaj, kryente në mënyrë sistematike shpërndarje të narkotikëve në ambiente të populluara argëtimi me muzikë në Sarandë.

Pasi e kapi me presh në duar, policia tha sot se arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë Lavdosh Metaj, 38 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, forcat “Shqiponja” në Komisariatin e Policisë Sarandë. Me vete iu gjet kokainë në sasinë 5 gramë, e ndarë në 11 doza ku secila dozë shitet dike nisur nga 50 euro.

Me një vendim të gjykatës së Sarandës, u ushtrua kontroll në banesën e policit. Atje u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lënda e dyshuar narkotike e llojit kokainë në sasinë 165 gramë që në tregun e zi arrin çmimin prej të paktën 16.500 euro.

Në banesë u gjet edhe një peshore që përdorej për peshimin e kokainës në procesin e ndarjes në doza. Në fotot gjeni pamjet e sekuestrove.

Konfirmohet se Metaj, këtë veprimtari të kundraligjshme, e kryente gjatë kohës së shërbimit si polic dhe jashtë saj. Tani ai akuzohet për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.

Nën drejtimin e Prokurorisë mësohet se po vijojnë hetimet e mëtejshme për të dokumentuar veprimtarinë e bashkëpunëtorëve të tjerë mes rradhëve të strukturave policore, apo jashtë saj. /ardi/noa.al