Transmetuar më 12-06-2021, 22:24

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, një pjesë nga bashkëbisedimi me aplikantët e fazës së dytë për nismën “Gati për Shqipërinë”.

Ashtu siç kishte njoftuar edhe në muajin maj, kjo nismë, e konceptuar si një segment i administratës për nëpunës publikë digjitalë, ka për qëllim të thithë shqiptarët ekselentë nëpër botë që duan të japin kontributin e tyre pa u kthyer në Shqipëri.

Mes dhjetëra aplikantëve që paraqitën idetë e tyre për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare, ishte edhe një pilot francez, i cili e la Ramën pa fjalë jo vetëm për shkak të formimit të tij, por edhe shqipes perfekte.

Piloti i kualifikuar në fushën e logjistikës në Francë, shprehu dëshirën për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e territorit, përmes politikave të transportit.

Pyetjes se ku e kishte mësuar shqipen ai iu përgjigj duke thënë se kishte jetuar në Shqipëri, plus që me një grua shqiptare e kishte më të lehtë për ta mësuar. Rama menjëherë i ofroi një vend pune pasi sipas tij, vendi ynë ka shumë mangësi në fushën e aviacionit. /blerina/noa.al