Transmetuar më 12-06-2021, 20:32

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi paralajmëroi sot se në Shqipëri do të vijnë dronët super inteligjentë të Turqisë për kontrollin e territorit.

Gjatë fjalës që mbajti në Kongresin e PS-së, Çuçi tha se iku koha kur policët shtynin makinat që nuk ndizeshin.

"Kjo nuk është as retorikë as inerci, por çka po them është e mbështetur në përgatitjen për të bërë një kapërcim historik për të cilin mjafton t’ju jap një shembull:

Këtë rrugë e kemi nisur me zëvendësimin e makinave që nuk ndizeshin dhe i shtynin policët. Në këtë mandat të tretë do e nisim me sjelljen në Shqipëri të dronëve super inteligjentë.

Shqipëria do të hyjë modestisht për nga sasia, por edhe njësoj për nga cilësia, në rendin e vendeve me teknologji më të avancuar në këtë drejtim", tha Çuçi.

Duke folur për kontrollin e territorit, Çuçi tha se do të marrë fund epoka e zaptimit dhe ndërtimeve vend e pavend pikërisht duke monitoruar gjithçka përmes pajisjeve teknologjike të fundit siç janë dronët super inteligjentë.

"Ne do të shtrijmë fuqinë e revolucionit dixhital në të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit, ku përmes kapaciteteve të inteligjencës teknologjike, do të kontrollojmë me precizion çdo metër katror të territorit të Shqipërisë.

Do të marrë fund epoka e zaptimit, pavarësisht mbiemrit apo fuqisë që ke ose për kë voton. Asnjë tolerancë! Me tekonlogjinë do bëjmë të mundur kontrollin e territorit dhe të kufirit, për parandalimin e çdo forme paligjshmërie, nga trafiqet, tek kultivimi i bimëve narkotike", tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm ishte së fundi në Turqi ku vizitoi fabrikën "Baykar Defense", e cila prodhon dronë të teknologjisë së lartë. Çuçi tha se Shqipëria po vlerëson mundësinë për marrjen e këtyre dronëve për qëllime civile e urbane. /klea/noa.al