Transmetuar më 12-06-2021, 13:55

Ashtu siç paralajmëruar edhe më herët, me dhjetëra maturantë kanë protestuar ditën e sotme përpara Ministrisë së Arsimit.

Me thirrje e pankarta në duar “Ministre, hajde na e zgjidh ti testin” ata kanë kërkuar që të bëhet një rivlerësim i pikëve të provimit të matematikës, për të cilin u shprehen edhe dje në peticionin online, se ishte shumë i vështirë.

Ndërsa vjet ishte Turi personazhi që ngjalli debat, sivjet është Sindi. Maturantët tregojnë në biseda me noa.al se Sindi ishte një ushtrim praktikisht i hartuar keq, përkthim joprofesional nga tezat e një universiteti britanik dhe u paraqit për ta si një ushtrim pa kuptim.

Spiro, një tjetër maturant tha se ajo që ka parë në tezën e provimit ishte një eksperiment social jo me të rinj, por me kavie. Ai thekson se ndonëse është shumë mirë në matematikë, teza e nxori jashtë loje pasi ishte plot ushtrime të papranueshme.

Një tjetër studente shpreh shqetësimin se modeli që ishte dhënë më parë nuk kishte asnjë lidhje me tezën edhe pse u tha se do ndodhte e kundërta.

Lidhur me pretendimet e tyre, kanë reaguar edhe dy përfaqësuese të QASH, (Qendrës së Shërbimeve Arsimore), të cilat mohuan kategorikisht vështirësinë e testit, i cili sipas tyre është hartuar ne përputhje me programin e maturës 2021 dhe brenda kishte pyetje nga jeta e përditshme.

Ato deklaruan gjithashtu para gazetarëve se provimet janë në procesin e korrigjimit, ndërsa të gjitha fletët që janë kapur me kopje do të shpallen të pavlefshme.

Sipas kryetares së bordit në QSHA, Rezana Vrapi, maturantët duhet të qetësohen pasi në fund të korrigjimit dhe marrjes së rezultatit do të shohin se nuk janë penalizuar.

Megjithatë maturantët nuk dorëzohen. Siç shihni fotot nga NOA/LSA, ata kërkojnë të drejtën e tyre në protestë dhe kanë një kërkesë. Ata duan që të ulet nga 60 në 50 çikë fasha e detyruar e vlerësimit të provimit.

Lidhur me këtë kërkesë, reagoi sot Ministrja Kushi e cila premtoi rishikim i mënyrës së vlerësimit në rast se vështirësia e testit tejkalon parashikimet.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka reaguar përmes rrjetit social duke dhënë mbështetjen ndaj maturantëve që kanë protestuar mbi shqetësimin e tyre për testin e matematikës.

"Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit". /blerina/klea/Noa.al