Transmetuar më 12-06-2021, 11:48

Gjykata e Elbasanit vendosi sot të lërë në arrest me burg pa afat, Leonard Bashaliun, i cili akuzohet se pak ditë më parë me 8 qershor të 2021 vrau me armë zjarri bashkëmoshatarin e tij Ylber Xhahysa, duke e lënë të vdekur në vend.

Gjatë seancës ku iu dha masa e sigurisë “arrest me burg”, Bashaliu ka folur edhe njëherë për arsyet, që e çuan në ekzekutimin e biznesmenit.

Ai tha se ndihej në mënyrë të vazhdueshme nën presionin dhe kërcënimeve të viktimës, ndonëse ishte një konflikt që kishte nisur 5 vite më parë.

Shkaku i këtij konflikti erdhi sipas tij, pasi viktima e kishte qëlluar me grusht dhe pas pak kohësh i kishte gërvishtur edhe makinën.

“Kurrë nuk do ta kisha vrarë, por më ka dhunuar dhe fyer vazhdimisht. Kohët e fundit edhe më pati kërcënuar. Ndjehesha i rrezikuar. Më kishte stresuar aq shumë sa nuk kisha më qetësi dhe nuk flija as gjumë. I kisha thënë; “mos më shqetëso”, por ai vazhdonte të ma nxinte jetën.

Edhe herën e fundit kur jemi parë në mëngjes rastësisht në lokal ishte ai që më kërcënoi pa i thënë unë asnjë fjalë. U ndjeva i poshtëruar para të njohurve dhe fillova ta urrej deri në atë masë sa vendosa që t’i jap fund kësaj historie torturuese.

Dola jashtë dhe një mijë mendime më vinin në kokë. Ika nga lokali dhe mora armën, u ktheva shpejt dhe e qëllova. Fillimisht u ndjeva i lehtësuar, por u pendova shpejt por nuk korrigjohej me ajo që bëra. Ishte e tmerrshme. U kërkoj ndjesë familjarëve të tij.”, është shprehur Bashaliu. /xhoana/noa.al

Ylber Xhahysa