Transmetuar më 11-06-2021, 22:54

Europiani i 16-të nisi në "Olimpico" të Romës, me ndeshjen Turqi-Itali 0-3. Stadiumeve iu rikthye jeta, emocioni i tifozëve, pas një viti e gjysmë të zbrazura prej pandemisë.

Rreth 16 mijë tifozë ishin të pranishëm, nga 80 mijë vende në total që ka stadiumi i kryeytetit italian, duke ruajtur distancën sociale, raporton gazetari sportiv i noa.al që ndoqi ndeshjen.

Fusha e blertë ishte nën dominimin e axurrëve, që pas 10 minutave të para të ekuilibruara dhe me gabime nga të dyja palët, që kërkonin ambientimin e nevojshëm, morën në dorë zotërimin e lojës.

Beradi, Insigne dhe Chiellini vunë në provë radhazi aftësitë e portierit turk, që reagoi mrekullisht.

Me kalimin e minutave, manovra sulmuese e italianëve spostohet në gjysmëfushën kundërshtare, por Turqia mbrohet me forca të shumta.

Tentojnë edhe nga distanca lojtarët e Roberto Mancini, duke parë se porta kundërshtare është e paarritshme nga gardhi mbrojtës i turqve.

Janë shumë të rralla daljet e Turqisë në kundërsulm, si e vetmja mundësi për të tentuar dicka, aq sa Donnarumma bën pritjen e parë në minutën e 35-të.

Pjesa e parë mbyllet pa gola, por me dominim evident territorial dhe të qarkullimit të topit nga Italia.

Pretendime për një penallti nga axurrët për prekje të topit me dorë, por VAR gjykon ndryshe.

Pjesa e dytë nis me zëvendësime në të dyja skuadrat. Turqit duken më kërkues, sidomos përmes Under, që vë në provë Donnarumma në minutën e 50-të.

Tre minuta më vonë zhbllokohem shifrat. Për t’u mbajtur mend në këtë Europian, goli i parë shënohet në portën turke, po nga një lojtar turk.

Pra, autogol i Demiral. Historik si autogol, sepse është hera e parë që një Kampionat Europian zhbllokohet në këtë mënyrë. Skuadra e Gunes mundohet të reagojë, del nga detyrat thellësisht difensive, por krijon hapësira në prapavijë, gjë që tentohet të shfrytëzohet nga sulmuesit italianë.

Si në një cep të ringut, turqit provojnë goditjet e Insigne dhe Immobile me shokë, që duan ta mbyllin ndeshjen me golin e dytë dhe të sigurisë.

Trajneri Gunes freskon formacionin me tri zëvendësime njëherazi, në kërkim të një ritmi tjetër. Disavantazhi e bën të detyrueshëm inistimin përtej gjysmëfushës së tyre për turqit.

Por, në minutën e 66-të, Spinazzola godet dort në pozicion ballor, portieri kundërshtar grushton topin, por aty afër është Immobile, që e dërgon në rrjetë. 2-0 për Italinë, e cila konkretizon epërsinë e saj në cdo aspekt të lojës.

Pjesa e mbetur e lojës është një monolog i axurrëve, që qëarkullojnë dendur topin, me Turqinë të dorëzuar psikoligjikisht dhe fizikisht. Insigne trefishon shifrat në minutën e 78-të, duke i dhënë dimensione festive triumfit.

Përfundimisht, ndeshja hapëse e Europianit, për llogari të grupit A, mbyllet me fitoren e pastër dhe të merituar të skuadrës së Roberto Mancini, e cila vijon serinë e gjatë të pamposhtmërisë. /a.l/noa.al