Transmetuar më 10-06-2021, 15:54

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka kritikuar sot qeverinë pasi një ministër i kabinetit të Ramës, Bledi Çuçi, diskretitoi publikisht një gjyqtar duke e akuzuar se po pengonte operacionin që ka nisur për prishjen e ndërtimeve në bregdet.

KLGJ tha se konstaton se ditët e fundit janë bërë deklarata nga persona publikë që shprehin pakënaqësi ndaj vendimeve të dhëna nga gjykatat. Gjithashtu, me keqardhje konstatohet se ky nuk është një rast i izoluar i mosrespektimit të pavarësisë së gjyqtarëve në ushtrimin e veprimtarisë së tyre për dhënien e drejtësisë.

"Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendje të opinionit se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton se gjyqtarët janë të pavarur në ushtrimin e funksioneve, i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve dhe se ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit.

Dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje të subjekteve publike ose private. Ky është kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës. Qëndrime të tilla nuk bëjnë gjë tjetër, veçse nxisin në publik ndjenjën e armiqësisë ndaj pushtetit gjyqësor, krijojnë imazhin e gabuar mbi gjyqësorin dhe bien ndesh me qëllimet dhe objektivat e reformës në drejtësi, si dhe cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarit.

Gjithashtu, ato ndikojnë negativisht në ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët, për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë, të papranueshme në shtetin e së drejtës, në të cilin mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit", thuhet në deklaratën e gjatë që publikoi Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Në këtë pikë ka ardhur dhe shuplaka tjetër ndaj qeverisë, duke kërkuar që ajo të respektojë "vlerat thelbësore të një shteti të së drejtës".

Më herët dje, ministri Çuçi i nisi letër ILD e KLGJ për Elidon Papazisi, gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër.

Por, KLGJ nënvizon se fatin e gjyqtarëve e vendosin strukturat e drejtësisë dhe jo ministrat e qeverisë. /klea/noa.al