Transmetuar më 10-06-2021, 08:27

Ish Stadiumi kombëtar Qemal Stafa, sot Arena Kombëtare, të shtunën 12 qershor do të jetë në dispozicion të Partisë Socialiste, pasi ajo mban Kongresin e saj të radhës.

Kongresi zhvillohet duke nisur nga ora 17.30. Nuk është e qartë nëse pengohet puna e grupeve të vaksinimit në këtë stadium.

Është hera e parë që Stadiumi më i madh i Tiranës do të përdoret për kongreset partiake. Më herët, shumë vite më parë, Stadiumi Dinamo apo Selman Stërmadh përdorej shpesh për mitingjet e socialistëve.

Në këtë Kongres, PS do të paraqesë vizionin për Shqipërinë 2030 dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës të Edi Ramës.

Kongresi përkon me përvjetorin e 30 vjetorit të Partisë Socialiste. Në qershor 1991, Partia e Punës së Shqipërisë e ish diktatorit Enver Hoxha, u mblodh për të vendosur ndryshimin e emrit dhe mes propozimeve të paraqitura, vendosi emrin Partia Socialiste e Shqipërisë. Ndryshimi i emrit pasoi riorganizim të strukturave të kësaj partie duke bërë ndryshime të shumta. /klea/noa.al