Transmetuar më 09-06-2021, 19:27

Bashkimi Evropian reagoi sot pas deklaratës së kreut të Kuvendit se kufizimet që është vendosur të aplikohen për mediat në Kuvend vijnë në zbatim të udhëzimeve të BE.

"Dëgjimet publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e Plenarit dhe komisioneve të tij janë tipare të rëndësishme të një demokracie liberale", thuhet në qëndrimin e Brukselit.

"Na vjen keq për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti.

Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisur në këtë kontekst në vitin 2014", vijon deklarata.

Më herët sot, Ruçi tha se sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian për Shqipërinë, dhe Kuvendi është përfitues i këtij projekti/modeli të ri.

Ai shtoi se edhe specifikimet teknike të ndërtimit të këtij sistemi u përcaktuan dhe miratuan nga Komisoni Evropian, bazuar në standardet dhe përvojat më të mira të parlamenteve të vendeve të BE-së. /ardi/noa.al