Transmetuar më 09-06-2021, 13:51

Partia Demokratike tha sot se tentativa e Ramës për uzurpimin siç e quajti ajo, të Shoqatës së Bashkive, ishte antiligjore dhe antidemokratike. Sipas PD synohet tërheqja nga padia në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet moniste lokale.

Jordan Tabaku doli sot për mediat për të denoncuar këtë zhvillim. Ajo tha se "vjedhja e zgjedhjeve të 25 Prillit do të përkeqësojë akoma më shumë gjendjen e demokracisë dhe të të drejtave të qytetarëve në vend" dhe shtoi:

"Për fat të keq, Edi Rama po jep çdo ditë provat e një kryeministri autokrat, i cili shkel çdo ligj, në funksion të pushtetit të tij dhe kundër opozitës.

Me një akt të paprecedentë, antikushtetues, antiligjor, të fallsifikuar, Edi Rama i ka hapur luftë Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, e drejtuar nga kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, e vetmja kryebashkiake legjitime në vend. Kjo shoqatë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e votimeve të paligjshme lokale të 2 viteve më parë, duke vënë në rrezik një tjetër pushtet të vjedhur prej Edi Ramës.

Vendimi i mercenarëve të Ramës për të ashtuquajturin shkarkim të Voltana Ademit si drejtuese e shoqatës nuk ka asnjë bazë ligjore. Është një vendim partiak, por pa pasoja ligjore. Personat që kanë marrë vendimin, nuk janë anëtarë të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe nuk kanë asnjë të drejtë mbi të.

Vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës, një shoqatë mund të mblidhet për të shkarkuar kryetarin e një shoqate tjetër".

Duke mos kursyer vazhdimisht akuzat, Tabaku bëri dhe shpjegime ligjore: "Të dhënat publike tregojnë se të 60 mercenarët e Ramës në bashkitë e vendit janë të deklaruar si anëtarë në shoqatën e krijuar nga Edi Rama që në vitin 2010 dhe që sot drejtohet nga Erion Veliaj. Rrjedhimisht, ata mund të mblidhen të shkarkojnë nga kryetar të shoqatës së tyre Erion Veliaj, por nuk mund të vendosin për të larguar Voltana Ademin, për arsyen e vetme se është në opozitë me Edi Ramën dhe ka çuar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet moniste lokale të 2 viteve më parë". /ardi/noa.al