Transmetuar më 09-06-2021, 10:48

Me parrullat në duar: “Mos na mbyllni derën, na lini të bëjmë gazetari”, reporterët e politikës kanë protestuar sot para Kuvendit të Shqipërisë pas vendimit për të mos lejuar median të ndjekë punimet e komisioneve parlamentare. Ata i bënë thirrje Kuvendit që të tërhiqet dhe të nisë një tryezë diskutimi e negociatash me ta. Gazetarja Esiona Konomi tha se kjo është betejë për çdo gazetar dhe fjalën e lirë.

“Unë nuk dua të transmetoj diçka të kontrolluar nga një organ shtetëror, por gjithçka që kamera ime regjistron i bëj thirrje Kuvendit të tërhiqet dhe të bëjë një tryezë diskutimi e negociata për ata reporterë që mbulojnë këtë institucion. Kjo është betejë jo për mua, por për çdo gazetar për të gjithë ata që vlerësojnë fjalën e lirë”, tha ajo.

Për këtë vendim të Kuvendit ka patur reagime të shumta, një ditë më parë edhe presidenti Ilir Meta e cilësoi këtë armiqësi të Kuvendit me fjalën e lirë.