Transmetuar më 08-06-2021, 17:21

Të gjithë udhëtarët që duan të vizitojnë Britaninë e Madhe, duhet të kalojnë 10 ditë në karantinë të detyrueshme në hotel. Por ekzistojnë edhe mundësi të tjera për banorët e Emiratëve të Bashkuara Arabe, që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Në një artikull të publikuar për udhëtarët nga Emiratët e Bashkuara Arabe, nga operatorët turistikë, mediat arabe listojnë 11 vende ku turistët mund të kalojnë ’11 ditët e karantinës’, para se të nisen drejt Mbretërisë së Bashkuar.

E para në listë renditet Shqipëria! Në artikullin e botuar nga media arabe, theksohet se Shqipëria pret rezidentë dhe qytetarë nga Emiratët e Bashkuara Arabe pa qenë e detyrueshme që të kryhet një test COVID.

“Për të udhëtuar në Shqipëri nuk ka nevojë që të testoheni për Covid-19, përveç rasteve kur ua kërkon linja ajrore me të cilën jeni duke udhëtuar.”- thuhet në artikullin e medias arabe, i cili gjithsesi është i pasaktë pasi për fluturimet direkte për Tiranë, asnjë kompani fluturimi nuk ka të drejtë të kërkojë diçka që nuk të detyron shteti shqiptar.

Sakaq, në artikull, shkruhet se në javën e tretë të qershorit, Shqipëria pritet që të ngrejë edhe qendra shëndetësore verore në 29 zona bregdetare të ndryshme ku turistët mund të kenë mundësi që të testohen për virusin.

“Turistët janë të lirë që të lëvizin rreth e qark vendit, por u kujtohet që të mbajnë distancën sociale prej 1.5 metrash", këshillojnë mediat arabe.

Në fotogaleri mund të shijoni disa foto profesionale të siguruara nga noa.al përmes shërbimit të LSA.