Transmetuar më 08-06-2021, 14:13

Shoqata e bashkive të cilat kontrollohen thuajse tërësisht nga qeveria socialiste, është mbledhur sot duke vendosur të shkarkojë kryetaren aktuale Voltana Ademi dhe emëroi në vend të saj Pjerin Ndreun.

Pas këtij vendimi Ndreu u shpreh se: "Në Asamble marrin pjesë kryetarët e bashkive, zgjodhëm ekipin drejtues të shoqatës e cila kishte dy vite që nuk mblidhej.

Kërkuam mbledhjen e jashtëzakonshme të asamblesë, u zgjodh kryesia e përbërë nga tre vetë, unë u zgjodha kryetar".

Kryetari i ri i Shoqatës së Bashkive, Pjerin Ndreu, nuk pranoi të komentonte mbi dyshimet se shkarkimi i Voltana Ademit u bë në mënyrë që kjo shoqatë të tërhiqte padinë në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet bashkiake të vitit 2019.

“Shoqata kishte 2 vite që nuk mblidhej. Në këto kushte kërkuam mbledhjen e asamblesë. Ne nuk merremi me fantazira, kjo është një shoqatë që vepron dhe në shoqatë aderojnë bashkitë, jo kryetarët. Nuk ka të bëjë me emrin e kryetarit.

Ne përfaqësojmë bashkitë dhe nuk ka të drejtë askush ta privatizojë. Janë njoftuar të gjithë që të vijnë. Ama ligjshmëria e takimit dhe vendimmarrja është komplet sipas statutit, kjo është e qartë dhe e padiskutueshme”, tha Ndreu