Transmetuar më 08-06-2021, 10:13

Në Kosovë është konfirmuar edhe një rast me variantin afrikan COVID-19, njoftoi sot Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) duke shprehur shqetësim për virulencën më të lartë që ka ky mutacion.

Në Klinikën Infektive të Prishtinës ku trajtohen të sëmurët me Covid-19, noa.al mëson se është shtruar dje pacienti i ri që u zbulua me variantin e Afrikës së Jugut, varianti më ngjitës në botë pas atij indian, në radhët e mutacioneve të koronavirusit të ri Sars-Cov-2.

Zbulimi i rastit u bë në laboratorët e Mikrobiologjisë të IKSHPK, ki në baza ditore testohen mesatarisht mijëra mostra në ditë. Nga mostrat e testuara në SARS-CoV-2, është konfirmuar edhe një rast me variantin afrikan të SARS CoV-2: South Africa (S.A) Lineage B.11351 (N501Y) (WHO label: Beta).

"Pacienti është i hospitalizuar dhe duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja", thanë autoritetet shëndetësore të Kosovës.

Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës. Ekipet hulumtuese të IKSHPK po gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme hme të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut.

Por çfarë duhet bërë për t’u ruajtur nga ky mutacion?

Masat parandaluese janë të njëjta. Personat të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës. /d.sh/noa.al