Transmetuar më 08-06-2021, 01:44

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është pyetur sot për shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës, në Komisionin e Punëve të Jashtme të Kongresit amerikan. Kongresmeni republikan Lee Zeldin, i ka kërkuar zotit Blinken informacione specifike për vendimin ndaj Berishës.

Sekretari Blinken i tha se momentalisht nuk mund të ndajë asgjë me kongresmenin për këtë çështje, por nëse ai kërkon më shumë informacion mund të paraqitet në Zyrën e Legjislacionit, apo në Zyrën e Zëdhënësit për Çështjet Publike, para se këto gjëra të dalin në media. Sipas Blinken, procedurat për t’i ndaluar hyrjen në vend Sali Berishës, kanë qenë standarde si për gjitha rastet e tjera.

LEE ZELDIN: Keni njoftuar për sanksione ndaj ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe për shumë nga ne kjo ishte e papritur ai ka qenë mysafir dhe aleat i George W. Bush, gjithashtu një kundërshtar agresiv i George Soros. Sa i takon historisë së tij politike me SHBA, çfarë informacionesh mund të ndani për të justifikuar këtë lëvizje dramatike?

ANTONY BLINKEN: Faleminderit, ne vijojmë të shohim përtej kufijve rreth atyre të përfshirë në korrupsion që shkelin të drejtat e njeriut, që sfidojnë parimet e demokracisë. Në këtë çështje procesi u zhvillua normalisht, përfshirë avokatët e mi. Do të isha i lumtur ta ndaja me ju nëse do të ishte e dobishme, se për çfarë flitet ekzaktësisht.

LEE ZELDIN: A ka ndonjë informacion specifik që mund të ndani me Komisionin këtë radhë?

ANTONY BLINKEN: S’kam çfarë të ndaj me ju tani, por do të doja të komentoja me ju dhe me këdo që është i interesuar.

LEE ZELDIN: Kam bërë disa kërkime për të gjetur se në çfarë afere korruptive është përfshirë Sali Berisha, dhe nuk arrita të gjeja asgjë. Ku duhet të shkojë një gazetar që kërkon të gjejë informacion? Pra ku duhet të shkojë një gazetar që të marrë informacion mbi korrupsionin që i referoheni ju?

ANTONY BLINKEN: E para, ejani në Zyrën e Legjislacionit, përpara se të dalë në medie, në mënyrë që të sigurosh informacion dhe, e dyta, eja në Zyrën e Zëdhënësit për Çështje Publike dhe ne do tentojmë që t’ju sigurojmë informacion në përputhshmëri me obligimet tona.