Transmetuar më 07-06-2021, 11:59

Kryetari demokrat Lulzim Basha ishte sot me demokratët e qarkut të Shkodrës ku kërkoi votat për një tjetër mandat në krye të kësaj force politike, më e madhja e opozitës.

Basha tha se në këtë parti funksionon bashkimi dhe paralajmëroi se dorëzimi nuk është opsion.

"Ne jemi të bashkuar dhe nuk dorëzohemi. Ne do të vazhdojmë betejën bashkë çdo ditë derisa sa ta largojmë regjimin e pakicës Rama-Doshi", tha Basha.

Sipas tij, shqiptarët nuk kanë shpresë tjetër t’i nxjerrë nga qorr sokaku i 25 prillit përveç Partisë Demokratike. "Ne jemi shpresa e vetme për ndryshim, për një të ardhmen  më të mirë për shqiptarë", tha ai.

Duke u ndalur te gara në PD, Basha tha: "Nga kjo garë ne do të dalim më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur për të luftuar dhe sjellë ndryshimin që duan dhe meritojnë shqiptarët".

Basha shpjegoi edhe pse e krahason 25 prillin me 31 Marsin.

"Jo më kot kam hequr një paralele midis 31 marsit të 1991-shit dhe 25 prillit 2021-shit. E ku më mirë se në Shkodër mund të shpjegohet zhgënjimi, ndjenja e pabesueshmërisë, e tronditjes së thellë që solli 31 marsi, zgjedhjet pa zgjidhje të 31 marsit e që çuan më pas në një tjetër shok dhe tronditje pas revoltës së gjimnazistëve të “Jordan Misjes” dhe shkodranëve me 2 prill që përfundoi me masakrën e 2 prillit. E pra miqtë e mi këto nuk janë thjesht kujtime apo reminishenca historike, këto janë pjesë e asaj që ne jemi, e asaj që ju jeni. Çdo demokrate e çdo demokrat shkodran, çdo qytetare e qytetar i Shkodrës e përmes jush çdo demokrat shqiptar e njeh fare mirë mekanizmin që i mbivendoset vullnetit të shumicës, e njeh fare mirë se si kjo jo vetëm zapton, nënshtron, shkatërron përkohësisht besimin tek demokracia, por e di po kështu se pas kësaj vjen ngritja, se zemëratës për një padrejtësi si 25 prilli dalëngadalë po i zë vendin vendosmëria për të mos e lënë Shqipërinë, për të mos e lënë Shkodrën peng të Tom Doshit, Ilir Beqës, Edi Ramës dhe bandës së tyre.

Sepse në të vërtetë 25 prilli është ditë e një fatkeqësie kombëtare, është dita e vdekjes klinike të demokracisë; Për ta thënë thjeshtë, shkoqur dhe qartë për këdo, demokraci mbi së gjitha dhe para së gjithash do të thotë vullnet i shumicës dhe me 25 prill shumicës i është mbivendosur një pakicë e pakicës.  25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë, nuk ka lidhje me vullnetin e shkodranëve, nuk ka lidhje me vullnetin e shqiptarëve. 25 prilli është gjëma dhe krimi final i regjimit të Edi Ramës dhe Tom Doshit". /noa.al