Transmetuar më 06-06-2021, 13:39

Një ditë pasi Edi Rama publikoi në të përditshmen gjermane Bild, letrën e hapur ku akuzon Bashkimin Evropian se nuk po mban premtimet për çeljen e negociatave për vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë Shqipërinë, në ndihmë i vjen zyrtari i lartë i Unionit.

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ka bërë thirrje sot për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke thënë se "BE duhet të mbajë premtimet" e duke shtuar se "zgjerimi do të ishte pozitiv për paqen dhe prosperitetin".

“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha, si në rajon dhe në Evropë, si një e tërë, duke ndihmuar në sigurimin e një kontinenti të qëndrueshëm, me prosperitet dhe paqësor,” tha Sassoli.

Megjithatë ai shtoi: "Se sa shpejt ato mund të bashkohen, kjo varet nga përmbushja e kritereve të pranimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor".

Deklarata e Sassoli, ashtu si ajo e Ramës, u bë për mediat gjermane. "Reformat duhet të përfundojnë ende në secilin prej këtyre vendeve," tha ai, duke shtuar se "Bashkimi Evropian, duhet të mbajë premtimet e tij dhe të njohë përparimin". /noa.al