Transmetuar më 06-06-2021, 11:09

Konfindustria, mbështetur në zhvillimet e fundit dhe shqetësimet e biznesit, i kërkon ekzekutivit, që të lehtësojë masat anticovid në fuqi të vendosura në fund të muajit maj 2021 nga Komiteti i Ekspertëve.

Kjo kërkesë vjen pasi rastet e infektimit janë ulur shumë me vetë 2 të infektuar 24 orët e fundit në mbi 3500 persona të testuar.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm tha sot se është e papranueshme, që Komiteti i Ekspertëve të marrë vendime në periudhë afatgjatë dhe larg zhvillimeve dinamike të përditshme, sikurse janë masat e fundit ndaluese për biznesin dhe qytetarët për muajt qershor dhe korrik, që përbëjnë më shumë se gjysmën e kohës së sezonit turistik 2021.

Në radhë të parë, kërkohet heqja e plotë e orës policore nga 23.00-06.00, për të bërë të mundur qarkullimin pa pengesa në territor.

"Është e arsyeshme, që qytetarët dhe bizneset të mos kenë asnjë pengesë, qoftë edhe thjesht burokratike, të jenë të lirë të lëvizin pa kufizime kohore të papërligjura, thotë Buxhuku në emër të bizneseve.

Gjithashtu, kërkohet, që të rishikohet drejt zgjerimit deri në heqje të plotë të kufizimeve kohore për aktivitetet e biznesit.

Konfindustria vlerëson, se përmirësimet e ndjeshme në pasojat shëndetësore të Covid19, me zbritjen në zero të humbjes së jetës, ulja në kufij të papërfillshëm e të prekurve dhe vazhdimi krahësimisht i suksesshëm në shkallë rajonale e vaksinimit të popullatës, e bën të arsyeshme lehtësimin e masave kufizuese të sotme.

Për Buxhukun është e rëndësishme, që sezoni turistik i vitit 2021 të jetë i suksesshëm për ekonominë kombëtare të prekur rëndë nga pasojat e covid19, tërmetit të vitit 2019 dhe problematikat e rënda thelbësore të sistemit.

Lehtësimi i arsyeshëm i masave antipandemi është një masë e rendësishme marketingu për suksesin e shumëpritur të sezonit turistik, shton ai. /noa.al