Transmetuar më 04-06-2021, 07:04

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, ditën e sotme pritet të vizitojë Prishtinën, aty ku edhe do të takojë liderët kryesorë në vend.

Vizita e tij u konfirmua nga vetë ministri gjatë konferencës së 9 rajonale. Në prag të takimeve ai ka thënë se Greqia do ta mbështesë rrugëtimin e Kosovës në BE, por nuk do ta njoh atë si shtet.

Megjithatë duket se gjërat po lëvizin në avantazh të Kosovës pasi ditët e fundit zyrtari amerikan David Phillips deklaroi se nga të pesë vendet e BE që nuk e njohin Kosovën si shtet, Greqia është më afër që ta njohë atë.

Tirana, sërish jashtë axhendës

Kjo është hera e dytë që një ministër grek shkon në Prishtinë vitet e fundit duke anashkaluar Tiranën.

Vizita e Dendias në trojet shqiptare përtej kufirit tonë, vjen ndërsa Greqia nuk e ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet, megjithatë njeh pasaportat e shtetasve të Republikës së Kosovës.

Dendias në Prishtinë, Rama në Ankara

Kjo vizitë e Dendias në Prishtinë zhvillohet ndërsa kryeministri shqiptar dhe shumica e kabinetit të tij qeveritar shkuan për vizitë dyditore në Turqi, pak ditë para se të zhvillohet një tjetër vizitë dyditore në Bullgari e paraparë për të nisur të mërkurën e ardhshme, raporton noa.al.

Rama nuk shkoi kurrë për vizitë zyrtare në Greqi gjatë periudhës që vendin e qeveriste Aleksis Cipras i të majtës dhe shkoi para disa muajsh në Athinë kur pushtetin e kishte martë e djathta e Micotaqisit.

Dendias, në një konferencë me gazetarë më herët, të enjten, komentoi vizitën e Ramës në Turqi duke thënë se shpresonte shumë që Shqipëria të ruante linjën evropiane, pavarësisht lidhjeve shumë të ngushta kohët e fundit me Turqinë.

"Shqipëria ka marrëdhënie të ngushta me Turqinë. Po, Edi Rama ka një marrëdhënie personale me Presidentin Erdogan. Ne e dimë këtë. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka një terren të madh për përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare.

Dhe, Shqipëria të bëjë atë që unë do të doja të bënte Turqia në një moment, të kthehej në Evropë, të përqafonte vlerat evropiane dhe të përpiqej të bëhej anëtare e familjes evropiane", tha Dendias për gazetarët.