Transmetuar më 01-06-2021, 21:41

Nuk duroni dot zhurmat, dhe reagimi juaj është agresiv? Mësojeni nga se vuani, nëse keni reagim “ekstrem”, ndaj tingujve sepse mund të vuani nga misophonia. Zbulohen shkaqet se përse disa njerëz janë me të ndjeshëm ndaj zhurmave dhe tingujve

TIRANË, 1 QERSHOR 2021, NOA.AL- A ju ka ndodhur dhe juve që të acaroheni nga ndonjë zhurmë, qoftë një motor që kalon "pijë plumbi ", apo thjesht një curril uji që dëgjohet diku pas muri?

Nëse nuk jeni ju që nuk duroni dot të tilla gjëra, me siguri është dikush që njihni dhe jua shpreh jo pak herë.

E pra, njerëzit që kanë reagime ‘ekstreme’ ndaj tingujve si përtypja deri mbllaçitja e zhurmshme ose frymëmarrja (gërrhitja), e kanë trurin më të ndjeshëm (të mbisensibilizuar) se disa persona të tjerë, që kanë një reagim më normal, ose nuk kanë reagim fare.

Shkencëtarët në Universitetin Newcastle zbuluan një lidhje të shtuar midis zonës auditive dhe zonave të kontrollit që lidhen me fytyrën, gojën dhe fytin tek ata që vuajnë me misophonia, raporton noa.al.

Misofonia është një çrregullim në të cilin tinguj të caktuar shkaktojnë reagim emocional ose fiziologjik që disa mund t’i perceptojnë si të paarsyeshme duke pasur parasysh rrethanën.

Kështu fjala vjen jeni në një dhomë dhe personi që ke pranë, ia pret: "Sa më acaron ky akrepi i orës me këtë zhurmë. Do ia heq fare bateritë se nuk më lë të fle natën. Pale frigoriferi që e kam në dhomë, as atë nuk e duroj dot kur çdo gjysmë ore bën çerek ore zhurmë". Ti e dëgjon dhe bën habi sepse ty as që ta ndjen fare dhe të duken zhurma kaq mininaliste sa nuk ia vlen ta mbash mendjen aty.

Por ata që kanë misofoni mund ta përshkruajnë edhe një zhurmë të vogël si një tingull shumë të fortë. Reagimet e tyre mund të variojnë nga zemërimi dhe bezdia e deri te paniku dhe nevoja për të ikur.

Dr Sukhbinder Kumar, studiues i Universitetit Newcastle në Institutin e Bioshkencës, tha: “Gjetjet tona tregojnë se për njerëzit me misofoni ekziston një komunikim jonormal midis rajoneve (zonave) të trurit, të dëgjimit dhe motorit. Kjo na bën që shpesh herë ne të përshkruajmë një njeri të tillë si sensitiv, kur reagimi ndaj një tigulli ose një zhurme vjen shumë agresiv prej tij”.

“Kjo është hera e parë që kjo situatë identifikohet si një komunikim jonormal mes rajoneve (zonave) të trurit", shtoi shkencëtari që citon noa.al.

Misofonia është konsideruar prej kohësh një çrregullim i përpunimit të zërit, por gjetjet nga Universiteti Newcastle sugjerojnë se është shumë më tepër se kaq. Kjo gjendje  prek afërsisht 15 përqind të të rriturve në të gjithë botën, dhe është më e zakonshme tek gratë sesa te burrat.

Ajo i referohet një çrregullimi “të rrallë”, të cilin shumë njerëz nuk e kuptojnë. Madje nga rrethi i tyre shoqëror këta persona cilësohen si grindavecë, të çuditshëm ose nervozë.

Reagimi ekstrem ndaj këtyre “zhurmave”, buron nga një lloj anomalie që lidhet me qëndrën e dëgjimit të trurit, korteksit të dëgjimit dhe zonave të korteksit para-motor ventral që janë përgjegjëse për lëvizjen e fytyrës, gojës dhe fytit.

Shkencëtarët kryen skanime të trurit tek njerëzit me misofoni, dhe zbuluan që këto persona kishin komunikim të shtuar midis korteksit të dëgjimit dhe zonave të kontrollit motorik që lidhen me fytyrën, gojën dhe fytin.

Këto rajone (zona) të kontrollit motorik aktivizohen fuqishëm nga tingujt tek njerëzit me misofoni, ndërsa tek personat e tjerë reagimi është normal.

Dr. Kumar shprehet se: “Ajo që na befasoi ishte se gjetëm gjithashtu një model të ngjashëm të komunikimit midis rajoneve vizuale dhe motorike, e cila reflekton që misofonia mund të ndodhë gjithashtu edhe kur shkaktohet nga diçka vizuale”.

Kjo na bën të besojmë se ky komunikim aktivizon diçka të quajtur “sistemi i pasqyrës”, i cili na ndihmon të përpunojmë lëvizjet e bëra nga individë të tjerë duke aktivizuar trurin tonë në një mënyrë të ngjashme – sikur ta bënim vetë atë lëvizje.

Ne mendojmë se tek njerëzit me misofoni, ndodh mbivlerësimi i pavullnetshëm i sistemit të pasqyrës, e cila çon në një lloj sensi që tingujt e bërë nga njerëzit e tjerë po futen në trupat e tyre, jashtë kontrollit të tyre", -shprehet Dr. Kumar.

Shkencëtarët kryen skanime të trurit tek personat me dhe pa misophonia dhe zbuluan se qendra e dëgjimit reagon ndaj tingujve njëlloj tek të dy kadegoritë. Ajo që bën diferencë është se tek personat me misophonia, treguan komunikim të shtuar midis korteksit të dëgjimit dhe zonave të kontrollit motorik që lidhen me fytyrën, gojën dhe fytin.

Interesant është fakti se disa njerëz me misofoni mund të zvogëlojnë simptomat e tyre duke imituar veprimin që gjeneron tingullin ngacmues, i cili mund të jetë një faktor për rivendosjen e një ndjenje kontrolli ndaj kësaj situate.

Tim Griffiths, Profesor i Neurologjisë Kognitive në Universitetin Neëcastle, shprehet se studimi i kësaj gjendjeje, (misophonia), ofron mënyra të reja për të arritur opsionet e trajtimit të misofonisë.

Në trajtimin e kësaj gjendjeje, duhet të mbahet në konsideratë edhe studimi i zonave motore të trurit, si një terapi efektive veç asaj të ndikimit të tingujve në zonat e trurit", -shprehet Tim Griffiths, Profesor i Neurologjisë Kognitive.