Transmetuar më 31-05-2021, 08:38

Leximi dhe shkrimi nuk janë terapi vetëm kundër dhimbjeve, por ato cilësohen edhe si mjete të vlefshme edhe për të kuptuar sëmundjet nga brenda trupit tonë.

Pikërisht, marrëdhëniet e fshehura ndërmjet letërsisë dhe mjekësisë, kujdesit shëndetësor, po analizohen prej vitesh në Itali, raporton noa.al.

Dr. Marko Venturino, është anestezist dhe shkrimtar. Ai thotë se leximi është një kurë për dhimbjen.

Mjeku shkrimtar inkurajon leximin e librave nga njerëzit e sëmurë që kanë dhimbje duke evidentuar se kjo ndikon në dy aspekte. Së pari dhimbja harrohet disi dhe së dyti i jep një mundësi për ta kuptuar së brendshmi një person. Edhe të shkruarit po ashtu ndikon shumë në përpjekjet për të harruar dhimbjet.

"Ne punojmë kryesisht për heqjen e dhimbjes, por ky është një iluzion, sepse dhimbja është atje dhe nuk mund të zhduket nga jeta jonë. Letërsia ndërkaq, na bën të meditojmë, duke krahasuar dhe gjetur kuptim apo arsyetim. Një projektim racional nuk mjafton, duhet një qasje emocionale dhe artistike", thotë mjeku duke pohuar se leximi i librave redukton dukurinë e dhimbjes dhe bën një menaxhim më efektiv të saj. /noa.al

Foto: Unsplash/Bibarys Ibatolla