Transmetuar më 30-05-2021, 19:51

Emigranti që humbi jetën sot në Athinë në një atentat mafioz është Ari Papa, 32 vjeç, që jetonte me familjen prej vitesh në Greqi, raporton noa.al.

Djali 32 vjeçar humbi jetën pasdrekën e të dielës së sotme ndërsa gjendej në një lokal te rruga e Durrësit siç njihet në zonën e Sepolia në Athinë.

Një person i armatosur shtiu tetë herë mbi të duke e lënë të vdekur dhe u larguan të pashqetësuar nga vendi i krimit, raporton noa.al që ju sjell dhe pamjet në galeri.

Autori zbriti nga një taksi, u afrua në lokal dhe shtiu nga distancë e afërt duke u siguruar ti marrë jetën.

Hetimet nxorën se 32 vjeçari kishte qenë shënjestër e një serie sulmesh kriminale vitet e fundit në qendër të Athinës.

Mediat greke pohojnë se 32-vjeçari shqiptar që u vra ishte akuzuar për pjesëmarrje në organizata kriminale, grabitje, trafik droge dhe madje si i përfshirë në marrëdhënie të dyshimta me zyrtarë të Policisë së Greqisë.

Përveç kësaj, ai dyshohet se kishte marrëdhënie me anëtarët e mafies shqiptare në burgje.

Përpjekje të tjera ishin bërë kundër tij. Më 26 maj 2019, ai u qëllua nga persona të panjohur pranë stacionit të autobusëve të Larisës dhe ishte plagosur rëndë.

Në fund të shkurtit 2021, i njëjti ishte arrestuar nga policia antidrogë në Rrugën e Kretës – ndërsa po ngiste një biçikletë elektrike. Ai ishte i veshur me një jelek antiplumb dhe iu gjet një pistoletë Baikal plot me plumba!

Pasi u shoqërua në polici ai foli për kërcënimet ndaj jetës dhe u la i lirë disa orë më vonë.

Por në mbrëmjen e të njëjtës ditë, ai ishte në shënjestër të një sulmi të ri përsëri pranë stacionit të Larisës nga dy persona të panjohur.

Atë natë, 32-vjeçari u qëllua në këmbë, ndërsa tre autorët u arrestuan më vonë nga Policia Greke në Athinë dhe u burgosën. Kapja e tyre u bë ndërsa u përpoqën të shpëtonin duke marrë arratinë me një taksi në të cilën lanë edhe një armë zjarri. /noa.al

Nëna qan me dënesë

"Vrasës. Më vranë djalin. Ku janë vrasësit. Pse nuk i kapin. I dinë mirë kush janë vrasësit, por nuk i kapin. Paloshqiptarë janë por nuk i kap policia. Ku ishte policia, ku ishte", thotë duke qarë me dënesë, nëna e 32 vjeçarit që u vra në rrugën e Durrësit (Durahiou" në Sepolia të Athinës.