Transmetuar më 30-05-2021, 14:57

Tetë vjet kanë kaluar që kur nisi bombardimi i publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar me të ashtuquajturën reformë në drejtësi. Pasi u miratua me votat e të 140 deputetëve të Kuvendit më 2016, kjo reformë nisi me hapin e breshkës dhe po vazhdon me të njëjtin ritëm edhe pse qytetarët duan të mos humbin më kohë për të marrë drejtësi.

Më poshtë le të rendisim dhjetë fakte me pasojat e të cilave përballen mbarë shqiptarët.

1.Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar aktualisht ka 4 anëtarë nga 11 që duhet të ketë. Se kur do të plotësohet, nuk dihet.

2.Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar aktualisht ka 6 anëtarë nga 16 që duhet të ketë. As për këtë nuk dihet kur do të plotësohet.

3.Gjykata Kushtetuese ka vetëm 6 anëtarë të te zgjedhur nga 9 që duhet të kishte.

4.Gjykata e Lartë sot ka 7 gjyqtarë nga 19 që duhet të kishte. Sot në këtë gjykatë çështjet e mbartura vijojnë të jenë mbi 30 000 mijë dhe datojnë prej vitit 2016 kur nisi e famshmja reformë në drejtësi.

5.Gjykata e Apelit Administrativ sot ka 8 gjyqtarë, nga 13 që duhet të kishte sipas organikës. Sot në këtë gjykatë po shqyrtohen çështje të vitit 2016. Ata që kanë çështje të katër viteve të fundit, nuk dihet sa duhet të presin ende. Sipas ligjit, shqyrtimi në Gjykatën Administrative duhet të përfundojë 30 ditë pas administrimit të çështjes.

6.Gjykata e Apelit Tiranë sot ka vetëm 9 gjyqtarë, nga 31 që duhet të kishte sipas organikës. Edhe në këtë Gjykatë shqyrtohen çështje me vite vonesë (2016) dhe ka shumë probleme me formimin e trupave gjyqësore. Ka 14 000 dosje që presin gjykimin.

7.Gjykatat e Apeleve në rrethe funksionojnë me numër gjyqtarësh më shumë se të përgjysmuar.

8.Ka gjykata që nuk formojnë as një trup gjyqësore me 3 anëtarë, ndërkohë që në gjykatat e rretheve përditë reduktohet numri i gjyqtarëve për shkak të procesit të vetting-ut.

9.Edhe në gjykatat e rretheve ka vonesa masive, me vite, në shqyrtimin e çështjeve.

10.Praktikisht të gjitha gjykatat në vend, nuk kanë numrin e gjyqtarëve që përcakton ligji.

Ish-ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, analizon këto dhjetë fakte dhe vlerëson se qartazi reforma në drejtësi është larg realitetit dhe shumë afër me propagandën.

"Sa here që shqiptohet togfjalëshi reforma në drejtësi nga qeveria dhe disa ndërkombëtarë, shpërthen një llogore propagandistike e padëgjuar. Por asnjë ytetar në Shqipëri nuk ka nevojë për propagandë të shpifur. Ka thjesht nevojë për fakte të vërteta" thotë ai duke u ndalur te 10 argumentet e mësipërme.

Vasili mendon se këto janë fakte asgjësuese "që tregojnë qartë arkitekturën antifunksionale dhe totalisht të mangët të sistemit të drejtësisë në të gjitha nivelet, pas plot 5 vjetësh të reformës së miratuar në 21-22 korrik 2016".

Situata në drejtësi duket të jetë kritike jo vetëm për shkak të pasojave 30 vjeçare që nga përmbysja e komunizmit, por edhe nga akumulimi i tejzgjatur që nuk duket të ketë mbarim.

Dhe kjo situatë e rëndë nuk prodhon drejtësi për qytetarët. Në të kundërt ajo prodhon cilësi tepër të ulët në dhënien e drejtësisë, vonesë skandaloze e të dënueshme si dhe "garanton" pandëshkueshmeri për pushtetarët.

Dr. Vasili thotë se nuk ka asnjë analizë objektive për këtë situatë kritike. Ai e sheh të pashpresë situatën kur thotë: "Asnjë strategji nuk ka, për të zgjidhur këtë deformim shumë të rëndë të sistemit të drejtësisë.

Ndërsa politika vazhdon të luftojë duke hedhur akuza mbi njëri-tjetrin, qytetarët mendojnë se kjo drejtësi e sakatuar nuk u garanton as mbrojtjen minimale.

Pa harruar çështjen më pikante të 30 viteve të fundit, atë të pronave e cila po merr vazhdimisht jetë njerëzish pasi drejtësia, fajtore e dukshme e këtyre krimeve për shkak të mosdhënies zgjidhje në rrugë ligjore, vijon stanjacionin. /noa.al