Transmetuar më 30-05-2021, 08:08

Tani është me se e qartë që fati i ardhshëm i ngrirjes së prestigjit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan brenda idesë së bashkimit kombëtar, kalon nga Tirana. Dhe, në funksion të kësaj, goditja penale kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë, e merr me vete krejt e krejt një të ardhme shqiptare në Ballkanin Perëndimor

Nga Spartak Ngjela – ish-ministër i Drejtësisë

Çfarë po ndodh: krimit, të mbuluar dhe shumë të gjatë në kohë, në Shqipëri, po i paraqiten hapur faktet e tragjedive shoqërore që ka krijuar, dhe po spikat ndërkaq gjendja e përgjithshme e psikozës kolektive të të inkriminuarëve në krimin shtetëror tridhjetë vjeçar. Kjo, sepse të inkriminuarit po ndjejnë akuzën penale kundër banditizmit shtetëror, domethënë, akuzën penale kundër tyre.

Në fakt, këto ditë, SPAK filloi akuzën penale kundër krimit shtetëror të pandëshkuar, dhe prandaj po kuptohet se në plejadën e krimit ka shqetësim. Cili është shqetësimi? Cilat janë akuzat?

l. Autorët e krimit shtetëror të madh e të gjatë në kohë, po shihet qartë se janë futur sakaq në psikozën e tyre kolektive të dominuar nga frika e akuzës penale. Psikoza kolektive është fenomen i një eksitimi kolektiv, i cili vjen nga një gjendje luftë. Në rastin që po e sjell këtë në Shqipëri, është lufta e nisur antikrim me çështje konkrrte dhe me individë konkret, e cila i ka kaluar këta në një psikozë kolektive frike; të gjithë të inkriminuarit. Dhe këta janë shumë: janë kryeministra, ministra, deputetë, etj. Por janë dhe një numur gazetarësh e të ashtuquajturish analistë që kanë qenë në anë të krimit; por dhe një plejadë bashkëpunëtorësh me krimin shtetëror, që kanë marrë pjesë në transaksione korruptive: kushurinj, klientë, kompani tregëtare, banka që kanë kryer transferta fiktive, individë që janë bashkëpunëtorë në pastrimin e parave, etj. Por, çfarë procesesh kanë filluar, dhe kush rrezikohet?

ll. Proceset që kanë filluar janë: çështja e Gerdecit, çështja e 21 janarit, shpallja nongrata e Sali Berishës dhe gjithë familjes së tij për korrupsion dhe krim ekonimik; llogari bankare të identifikuara nëpër banka të pikave offshor në shuma marramendëse; dhe janë gjithashtu edhe çështje të tjera të këtij niveli, të cilat kuptohet se do të dalin në pah hap pas hapi. Por pyetja që na del përpara me këtë rast, është kjo: pse goditja e gjithë kësaj gjendjeje kriminale të krijuar ndër vite nga krimi shtetëror në Shqipëri, filloi pikërisht tani? Sigurisht, edhe kjo ka një shpjegim, dhe, për këtë, na duhet të theksojmë arsyetimin përkatës: sepse kjo ishte koha më e përshtatshme. Po të kishte filluar goditja penale kundër korrupsionit të lartë shtetëror dhe krimit të organizuar që në stadin parazgjedhor, të temburit që përshkruam më lart, do ta kishin prishur procesin zgjedhor, për ta kredhur shoqërinë në një anarki të rrezikshme me armë, njëlloj si ajo e vitit 1997. Madje ata vetë e kishin shprehur hapur kryengritjen e tyre. Dhe tani kuptohet se, ekspertiza amerikane, ka vepruar me saktësi matematike në përllogaritjen e këtij fakti; sepse në këtë kohë paszgjedhore nuk mund të ndodhë dot më asnjë përplasje shoqërore për destabilizim të Shqipërisë. Pse? Kjo sepse, dy ditë pas zgjedhjeve, në datën 27 prill, NATO filloi në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor, manovrat ushtarake me një pjesëmarrje shumë të madhe, sidomos në Shqipëri. Dhe, e gjithë loja ushtarake që po vijon, është përshkruar nga Uashingtoni si një përgatitje antiruse, në Shqipëri e kudo në Ballkanin Perëndimor, duke shprehur gjithashtu edhe konfliktin e madh amerikano-rus në këtë zonë.

lll. Kjo situatë, kuptohet se është tani e gjitha në funksion të ngritjes së Shqipërisë dhe tërë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Shkatërrimi tërësor i shpresës së politikës ruse në Tiranë, e ka mësyrë me një hap të sigurt përpara çështjen shqiptare në Ballkan. Menjëherë pas humbjes së frymës ruse në zgjedhjet e 25 prillit, shpërtheu edhe regjistrimi i popullsisë shqiptare në Maqedoinë e Veriut. Nga regjistrimi shqiptarët dolën me një shumicë absolute, me 47 përqind, dhe si popullsia e parë; por ekspertët thonë që janë edhe më shumë. Pas kësaj, menjëherë filloi një vështrim i ri për të vërtetën shqiptare në Maqedoni, në Sanxhak, dhe në Podujevë. Madje as shqiptarët e Malit të Zi, nuk po mbeten mbrapa, sepse po ka lëvizje panshqiptare në të gjithë qytetet shqiptarë në Malin e Zi, sidomos në Ulqin, në Plavë në Guci dhe në të gjitha fshatrat buzë lumit Buna. Koha po krijon monë e madh të shqiptarëve, dhe gjendja ekonomikë po pret muajin shtator, sepse deri në muajin shtator, shenjat janë që do të ketë mbaruar goditja penale e fazës së parë kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë. Tani është me se e qartë që fati i ardhshëm i ngrirjes së prestigjit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan brenda idesë së bashkimit kombëtar, kalon nga Tirana. Dhe, në funksion të kësaj, goditja penale kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë, e merr me vete krejt e krejt një të ardhme shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Këtu fillon në fakt, historia e re e Shqipërisë dhe, njëherësh, edhe vlera e madhe që do të kenë shqiptarët në të dy shtetet e tyre, në Shqipëri dhe në Kosovë, për aleancën gjithmonë në ngritje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse sot, shqiptarët janë domosdoshmëri amerikane në konfliktin e hapur midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, jemi të sigurt kur themi se, shqiptarët sot kanë hyrë përfundimisht me personalitet në historinë e re të Amerikës në Ballkanin Perëndimor.