Transmetuar më 25-05-2021, 12:49

Alpha Bank Albania brenda vitit 2021 nuk do të ekzistojë më pasi grupi në Greqi ka vendosur të largohet nga Shqipëria dhe ta nxjerrë në shitje për të investuar të ardhurat në tregje të reja dhe me një frymëmarrje domethënëse siç u bë e ditur dje në një deklaratë.

Noa.al publikoi ekskluzivisht lajmin dhe përcolli reagimet e ashpra të qeverisë greke ku shprehej shqetësim për faktin se kjo ishte banka e fundit greke që kishte mbetur në vendin tonë.

Reagime të shumta pati dhe nga bizneset e mëdha greke në Shqipëri të cilat shprehën të njëjtin shqetësim për bankën që gjendet prej afro 24 vitesh në tregun financiar shqiptar.

Noa.al kërkoi sot një koment nga Bankës e Shqipërisë. Donald Duraj, sekretari i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, në një përgjigje për noa.al tha se konsiderohet ende shpejt për të dalë me një qëndrim.

"Në lidhje me kërkesën për një qëndrim, ne për momentin nuk kemi ende një koment specifik pasi dje u njohëm me këtë zhvillim në Greqi. Pasi të marrim më shumë informacion, do të shprehemi në një moment të dytë", thuhet në përgjigjen për Agjencinë Kombëtare të Lajmeve NOA.

Redaksia kërkoi gjithashtu një koment edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në Bordin Mbikëqyrës të të cilit ndodhen Bledar Shella, drejtor i përgjithshëm i OTP Bank, Seyhan Pencabligil i BKT, Martin Korkuti, Credit Bank, Dritan Mustafa, Tirana Bank dhe Bozhidar Todorov, Fibank.

Nga zyra e AAB, erdhi thuajse e njëjta përgjigje si e BSH duke kërkuar më shumë kohë për tu njohur me këtë zhvillim.

Më herët dje, noa.al kërkoi një koment edhe nga Alpha Bank Albania e cila tha se do të mbetet në pritje për të parë mundësinë e dhënies së një qëndrimi në një moment tjetër. /noa.al

Lexoni dhe: Del në shitje Alpha Bank Albania, shqetësim në qeverinë dhe bizneset greke: Banka e fundit greke që ka mbetur në Shqipëri