Transmetuar më 25-05-2021, 11:21

Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe SPAK-u janë vënë nën alarm ndërsa Shërbimi Informativ Shtetëror ka ngritur nivelin e gatishmërisë për shkak të konfliktit Palestinë-Izrael dhe po monitoron të gjitha burimet e hapura dhe të mbyllura, raporton noa.al që citon burime nga këto institucione.

Drejtoria e Antiterrorit është duke vëzhguar ashtu si SHISH, rrjetet sociale, për të evidentuar persona që bëjnë thirrje terroriste.

Noa.al konfirmon se nën hetim zyrtar është vënë një faqe në Facebook si dhe disa persona, administratorë të faqes dhe ndjekës e komentues të saj.

Shkak për këtë është bërë një video ku shprehej zemërim për mënyrën si izraelitët po sillen përballë palestinezëve dhe sidomos popullsisë së pambrojtur, përfshirë fëmijët. N.C është vënë nën hetim pasi me komentet e tij sipas Antiterrorit, ishin thirrje për luftë ndaj Izraelit.

Mes komenteve, ndjekësi thoshte se nuk do që të vdesë "pa ia marrë shpirtin të paktën 10 çifutëve të qelbur". Ai po ashtu lutet që "kjo racë e ndyrë të shkatërrohet në mënyrën më të dhimbshme".

Një tjetër thirrje e fortë në faqen e Facebook ishte: "O vëllezër myslimanë, koha nuk pret. Së paku sa më shpejt të mobilizohemi kundra jahudive, së paku të tubohemi para ambasadës së Izraelit të poshtër, Tiranë, Shkup, Prishtinë,

I dyshuari është një 55 vjeçar nga Dibra me banim në Tiranë dhe ai është vënë në sitën e agjentëve antiterror. Kjo ka bërë që ai të zhduket nga rrjetet sociale që ishte aktiv deri para pak ditësh.

Ai rezulton se ka një dënim në Dibër para disa vitesh për mbajtje armësh si dhe një dënim të dytë në Durrës për kalim të paligjshëm kufiri, raporton noa.al.

Burime nga SPAK bënë të ditur se po hetohet vepra penale e nxitjes së urrejtjes, parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal. Sakaq me metoda speciale po bëhet hetim i mëtejshëm me synimin për të mbajtur nën kontroll personat që ja ë identifikuar si elementë të tillë.

Në një vëzhgim në facebook noa.al konstatoi se faqet me këto përmbajtje dhe komentet përbri tyre janë fshirë dhe menjëherë më pas janë hapur të tjera.

Këto hetime vijnë në një kohë që mes Izraelit dhe Palestinës ka nisur një konflikt i përgjakshëm që ka marrë jetën e rreth 300 personave përfshirë fëmijë, më së shumti në radhët e palestinezëve pasi palët hodhën raketa në drejtim të njëri-tjetrit. Një armëpushim i para pak ditëve është denoncuar se nuk po respektohet dhe luftime sporadike vazhdojnë. /noa.al