Transmetuar më 24-05-2021, 06:59

Superstrada që lidh Tiranën me Durrësin, është e mbushur plot e përplot me pika karburanti. Pjesa më e madhe e tyre, i përkasin kompanive të mëdha që janë përfshirë dhe në turlilloj biznesesh të tjera deri dhe me shtetin.

Në to, mjaft të ngresh sytë dhe kupton se çmimet nuk janë më si muajt e shkuar. Ato janë rritur.

Ndonëse dhe aq ishin shtrenjtë, goxha më shtrenjtë se vende fqinjë me ne, tani ato janë rritur edhe ca më shumë.

Një vëzhgim në terren tregon qartë tendencën e kompanive të mëdha që të rrisin çmimet e naftës, gazit dhe benzinës.

Brenda tre muajve çmimi i karburanteve është rritur me 13 lekë për litër, ndërsa rritja e fundit ka ndodhur ditët e fundit me 5 lekë pë litër duke shkuar deri në 178 lekë për litër.

Edhe në të gjithë pikat e karburantit në kryeqytet nafta dhe benzina janë rritur mesatarisht me 5 Lekë/litër, ndërsa në shkurt u shtrenjtua me 8 lekë të tjera.

Ndryshe ndodh në pikat e shitjes së kompanive më pak të njohura në treg dhe atyre që nuk kanë shumë pika shitjeje. Ata kanë çmime ndjeshëm më të ulëta ndonëse më të njëjtat zona ku tregtojnë dhe firmat e mëdha.

Lind pyetja, përse ndodh kjo Ekspertët? Noa.al bisedoi me disa nga përfaqësuesit e pikave të shitjes së karburantit. E tërë ajo që.ata tregonin përmblidhet si më poshtë:

"Është e njëjta naftë që qarkullon te të gjitha pikat e shitjes. Çmimi më i lartë te disa pika është sepse ca kompani duan të bëjnë diferencën në çmim se njerëzit stepen të blejnë naftë aty ku është më lirë, por nafta njësoj është gjithandej".

Ekspertët e ekonomisë thonë se shkak kryesor p ër çmimin në rritje është rritja e çmimit të lëndëve djegëse në bursat ndërkombëtare, pasi Shqipëria është një importues i karburanteve.

Profesor Adrian Civici thotë se tendenca do të vazhdojë të jetë në rritje për shkak të rigjallërimit të lëvizjeve, por dhe pasigurive të konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Këtë vit kemi një rinisje të lëvizjes dhe kërkesë për konsum por dhe konflikti në Lindjen e Mesme rrit pasiguritë për bllokim të rezervave çka rrit dhe çmimin në tregje.”

Por sa e vërtetë është që në Shqipëri nafta që qarkullon është tërësisht e importuar? Noa.al pyeti punonjës të një kompanie e cila ka shumë pika në Tiranë dhe rrethe. Përgjigjja ishte e qartë: Këtu shitet naftë vendi, Ballshi, krahas asaj që importohet. Cilësia është me shumë diferencë, por kjo rrit fitimet. Ajo që habit është se më së shumti këtë e bëjnë kompanitë e mëdha të shitjes së karburanteve në Shqipëri, duke u shndërruar në bizneset më fitimprurëse në vend.

Ato madje ia dolën të nxjerrin zbuluar edhe Kryeministrin Edi Rama që u zmbraps nga premtimi i bujshëm se do të fuste në filtra të imët kompanitë e karburanteve dhe nuk do të lejonte të kishin kaq shumë pika shitjeje vend e pa vend dhe me distancë shumë të afërt mes tyre. Premtimi u bë që më 2013 dhe Rama u tërhoq në pak muaj duke mos bërë asgjë për rregullimin e tregtisë së karburanteve në Shqipëri. /noa.al