Transmetuar më 22-05-2021, 09:18

Cinizmi i qeverisë greke arrin kulmin pasi njoftoi sot se ka vendosur të hapë kufijtë për disa ditë, vetëm për ata shqiptarë që duan të shkojnë të punojnë për vjelje frutash, punëtorë të rëndomta të cilat vetë grekët nuk i bëjnë dhe prej mëse 30 vjetësh kanë shfrytëzuar shqiptarët duke i keqpaguar.

Autoritetet e Policisë Greke kanë njoftuar palën shqiptare se duke filluar nga dita e sotme, deri në datën 31 maj 2021, nga ora 08:00-16:00, do të lejohet hyrja e shtetasve shqiptarë në drejtim të Greqisë, të cilët mbajnë statusin e punëtorit sezonal.

Pala greke thotë se hapja e reduktuar e kufijve vjen në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19.

Këta shtetas më parë, do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë COVID-19, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë.

Kuota ditore e pranimit është 400 persona, të cilët gjithashtu duhet të plotësojnë formularin e regjistrimit PLF në këtë link dhe pasi të kenë marrë konfirmimin, mund të lejohen që të hyjnë në tokën greke.

Mjerisht, standardi i dyfishtë vazhdon pa kufi, sepse asnjë kategori tjetër nuk do të lejohet të hyjë drejt Greqisë (shërbim taxi, mjete të tonazhit të rëndë apo shtetas me leje qëndrimi, shtetas grekë apo europianë të tjerë).

Ndërkohë në të gjitha pikat kufitare mes dy vendeve, shqiptarët nuk lejohen të futen në Greqi përveçse nëse kanë letra greke. Reciprociteti nuk ekziston sepse pala shqiptare pranon cilindo grek të futet lirisht në vendin tonë dhe pa asnjë masë kufizuese. /noa.al