Transmetuar më 21-05-2021, 17:23

Komiteti Teknik i Ekspertëve po heziton të vendosë heqjen e kufizimeve prej pandemisë Covid-19 duke pasur dyshime tek dy arsye që i cilëson të forta.

Përfaqësuesi i Komitetit Teknik, Skënder Brataj, pohoi sot se diskutimet mes ekspertëve për lehtësimin e mundshëm të masave anti-covid janë ngecur te dilema e grumbullimeve që ndodhën gjatë festës së Bajramit.

Sipas Bratajt duhet të presim edhe efektet pas grumbullimeve për festën e Bajramitq të vendoset për heqjen e shtetrrethimi dhe kufizimeve të tjera që kanë mbetur.

Ky pretendim i Brataj që ka përfshirë gjithë Komitetin, vjen pas frikës publike që shprehu Edi Rama që në fillim të fushatës elektorale në muajin mars, duke thënë se mitingjet e PD do të sillnin brenda dy javësh efekt në rritjen e të infektuarve. Në fakt asgjë e tillë nuk ndodhi e madje as javët në vijim kur mitingjet plot me njerëz u bënë si nga PD dhe nga PS. Teoria se këto grumbullime do të sillnin lumë infektimesh, dështoi.

Brataj thotë se po ashtu ende nuk ka një siguri të lartë për një qëndrueshmëri të situatës në spitale, duke e prezantuar këtë si dilemën e dytë që ka KTE.

Pretendimi i Brataj edhe në këtë rast duket se nuk qëndron, sepse aktualisht në vend ka 7 spitale Covid në dispozicion ku gjenden vetëm 61 pacientë gjithsej. Kjo shifër është edhe më e ulët se në periudhën e mbylljes ekstreme që kishte Shqipëria në mars-majin 2020.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare dhe anëtar i KTE, thotë se ndonëse frika ende ekziston, ai ka bindjen që këtë periudhë në vijim, nuk do të kemi valë agresive të koronavirusit që kaluam në muajt nëntor 2020 deri në shkurt 2021.

Sigurisht që kjo është plotësisht e mundshme në kushtet kur thuajse të gjithë të moshuarit kanë marrë të paktën një dozë vaksine, plot të tjerë po ashtu dhe imunizimi nga vetë virusi po ashtu është shumë i lartë në Shqipëri.

Në situatën aktuale, kur mbarë bota ka hequr pjesën më të madhe të kufizimeve, ajo që pritet në Shqipëri është që njerëzit të jenë më të qetë dhe më pak të frikësuar nga virusi vrasës. Për më tepër, qytetarët ende kanë të freskët premtimin elektoral të kryeministrit se vera që është në prag do të jetë pa kufizime. /noa.al