Transmetuar më 21-05-2021, 13:18

Ndoshta jo deri në fund të mandatit, por edhe vitin tjetër si ky muaj, rreth kësaj date, Rama mund t’i lërë të gjitha. Partinë, kryeministrinë, pushtetin, Shqipërinë.

Pse jo? Atëherë ai s’do ketë më kundërshtarë-armiq. I sakatoi të gjithë. I përuli si Nanon, apo i turpëroi si Berishën. I shfrytëzoi si Metën, apo poshtëroi si Bashën.

E, pa armiq-kundërshtarë, Rama e ka të vështirë të funksionojë perfekt. Në atë kohë kohë do të jetë në zenitin e tij. Partia Socialiste ende nuk do të ketë filluar të hajë vetveten me kafshata të mëdha.

Partia Demokratike, rreth asaj kohe do të nisë të shfaqet e plotë, e bashkuar, e re, e etur për ndryshim. Njerëzit do të nisin të ndjejnë lodhje nga pushteti mbytës i tij.

Çdo gjë me tepri të mërzit, kjo vlen edhe për socialistët sado përfitime të kenë. Do të dojë vallë Rama të jetë njësoj si gjithë paraardhësit; ta mundin, jashtë apo brenda partie?

Sepse humbja vjen një ditë për të gjithë. Ashtu si erdhi për Muhamet Ali, apo dhe Majk Taison. Por mund të zgjedhë edhe rrugën e Roki Marçianos, që u tërhoq kur ishte në majë dhe mbeti në histori si “i pamposhturi”.

Unë mendoj se Rama do të “qërojë” skenën politike shqiptare, do të presë katër-pesë shirita jetësorë për të ardhmen e vendit, do të mbajë fjalimin që ka një jetë që e përgatit dhe do të dalë nga skena duke ëndërruar përjetësinë. Theu çdo tabu.

Pas kësaj, në skenë, në prapaskenë, apo në sallë, do të jetë veç pengesë. Por a do e kuptojë Rama këtë realitet historik?

Unë kam dëshirë të mendoj dhe të vë bast (edhe kundër asaj që kam thënë përherë, se ai nuk do e lëshojë më kurrë pushtetin po e mori) se Rama do të kërkojë të jetë ndryshe edhe në ikje. Do të ikë kur të dojë dhe jo kur të mos e duan më.