Transmetuar më 19-05-2021, 09:38

Në një përpjekje të posaçme për të konfirmuar nëse rastet janë prezente dhe nuk zbulohen, ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar rritje të testimeve pavarësisht numrit shumë më të ulët të të infektuarve që evidentohen.

Noa.al ka mësuar nga Instituti i Shëndetit Publik se po kryhen gjurmime të shumta në Tiranë dhe rrethe për të kuptuar nëse ka ende vatra koronavirusi në Shqipëri. Nëse deri në mars testoheshin vetëm disa nga ata që kishin simptoma, tani po testohen edhe njerëz pa simptoma, kryesisht pranë atyre që shfaqin shenja të sëmundjes.

Gjatë 24 orëve të kaluara u kryen rreth 3200 testime dhe dolën 39 raste të reja duke bërë që pozitiviteti të ulet deri në 1 për qind nga afro 40 për qind që ishte në muajin shkurt.

Bie në sy fakti se këto ditë Tirana nuk është më e para në shifra. Më së shumti raste të reja kanë rrethet kufitare si Gjirokastra, Shkodra, Korça, etj. Kjo shpjegohet me faktin se në Shqipëri hyhet lirisht, pa tampon dhe pa karantinë.

Por si është situata aktuale në vend? Ndër 683 mijë njerëz të testuar, dolën 132 mijë pozitivë. Prej tyre 2.436 humbën jetën. Janë shëruar 126 mijë e 405 persona dhe janë aktualisht ende të panegativizuar, edhe 3230 vetë.

A janë këto shifrat reale? E sigurt që jo. Këto janë vetëm testimet e bëra në shtet dhe një pjesë e atyre në privat. Për më tepër shumë njerëz as që bënë tampon apo rapid test. Mjaft të tjerë u ndoqën në klinika dhe spitale brenda e jashtë vendit.

Nisur nga ky fakt Akademia e Shkencave thotë se më së paku Tirana, e ka arritur imunitetin e tufës.

Kjo tezë mbështetet edhe nga ekspertët që ka folur noa.al, të cilët nisen nga disa faktorë. Së pari shifrat zyrtare. Së dyti faktet jozyrtare që përmendëm më sipër. Së treti, shumë qytetarë kanë qenë asimptomatikë, sidomos moshat e vogla. Faktor tjetër është dhe vaksinimi që ka përfshirë çerekun e popullsisë së Tiranës.

Parë këto fakte dhe shifra, të gjitha hipotezat të çojnë në bindjen se vendi po del me shpejtësi nga pandemia.

Bindja përforcohet dhe nga situata në spitale. Për herë të parë që nga Marsi i vitit të kaluar në spitalet COVID gjenden 71 pacientë nga të cilët 7 janë në terapi intensive dhe asnjë i intubuar.

Lind pyetja, a duhet të relaksohemi aq sa të mos mbrohemi më?

Në të gjithë skenarët, përgjigjja është jo!

Arsyet që noa.al rendit më poshtë janë argumentuar nga mjekë të njohur në spitale private dhe QSUT.

Së pari, jemi një vend ku njerëzit lëvizin shumë dhe lëvizja e lirë krijon në çdo kohë premisa për infektim.

Së dyti, imuniteti i tufës që duket se është arritur deri diku në Tiranë, është përballë rretheve që janë ende larg. Kjo bën që ende të bëjmë sytë katër.

Së treti, në Shqipëri hyjnë dhe dalin lirisht njerëz nga e gjithë bota, përfshirë zonat me virulencë të lartë si India, SHBA, etj.

Së katërti, mutacione të reja të koronavirusit po dalin shpesh dhe papritur.

Së pesti, ka shumë dyshime deri në majat e qeverisjes në SHBA, se virusi u shpërnda nga Kina në kuadrin e një lufte tregtare që përfshin botën. Kush na siguron se kjo nuk ndodh sërish dhe në çdo kohë?

Së gjashti, vërtet njerëzit po vaksinohen, por kush garanton efektivitetin e këtyre vaksinave. Po kohëzgjatjen e imunitetit prej saj? Pa harruar dhe faktin se janë vaksina eksperimentale dhe janë miratuar vetëm për përdorim emergjent.

Ndaj apeli mbetet i njëjtë: Sa kohë virusi është ende i pranishëm nëpër botë, shqiptarët nuk kanë arsye të festojnë dhe as të braktisin masat mbrojtëse. Është e qartë se vetëm imuniteti i tufës përmes prekjes nga virusi të mëse 70 për qind të popullsisë së vendit e më tej të botës, është "ilaçi" më i sigurt për relaksim të plotë. /noa.al