Transmetuar më 18-05-2021, 20:04

Një ekip studiuesish ka identifikuar qendrën e dëshirës seksuale mashkullore në zona specifike të indeve të trurit ku vepron një enzimë e rëndësishme, aromataza.

Aromataza mund të luajë një rol të rëndësishëm në sjelljen seksuale mashkullore. Edhe pse studiuesit e kanë hulumtuar këtë enzimë, ata ende nuk e kanë kuptuar funksionin e saj të plotë në sjelljen seksuale të meshkujve.

Një studim i fundit në minj dha më shumë informacion mbi aktivitetin e enzimës në trurin e të rriturve. Më konkretisht, aromataza është gjetur se shndërron testosteronin, hormonin kryesor të aktivitetit seksual mashkullor, në estradiol, një lloj estrogjeni.

Shkencëtarët kanë treguar se estrogjeni është i rëndësishëm për kontrollimin e funksionit riprodhues në të dy gjinitë, ndërsa kontributi i tij është kritik për zhvillimin e roleve organizative dhe funksionale dhe në sjelljen e të rriturve në përgjithësi.

Për të përcaktuar nëse aromataza e trurit është e rëndësishme për aktivitetin normal seksual të meshkujve, studiuesit përdorën minj që u mungonte aromataza në trurin e tyre. Në këta minj meshkuj u zbulua se aktiviteti i tyre seksual ishte zvogëluar me 50%.

Kjo rënie ndodhi edhe kur nivelet e testosteronit ishin shumë më të larta krahasuar me ato në grupin e përfshirë në kërkimin shkencor. Në fakt, minjtë që nuk mund të prodhonin aromataza askund në trup, përfshirë trurin, nuk kishin asnjë aktivitet seksual.

Autorët e studimit vunë në dukje se minjtë meshkuj pa aromatazë, gradualisht humbën interesin e tyre seksual duke demonstruar kështu rolin e rëndësishëm të enzimës në prodhimin e estrogjenit. Estrogjeni është thelbësor në të dy gjinitë, pasi testosteroni duhet të shndërrohet në estrogjen në mënyrë që të përmirësojë shtytjen seksuale tek meshkujt.

Studiuesit raportojnë se në rrethana normale një mi mashkull do të ndiqte një femër në një përpjekje për të bërë seks me të. Nëse geni përgjegjës për prodhimin e aromatazës në tru hiqet, aktiviteti seksual zvogëlohet ndjeshëm dhe minjtë meshkuj nuk janë të interesuar për seks.

Shkencëtarët pohojnë se çelësi i interpretimit është se si testosteroni stimulon dëshirën seksuale. Për herë të parë, studiuesit kanë treguar se shndërrimi i testosteronit në estrogjen në nivelin e trurit është kritik për ruajtjen e aktivitetit seksual tek meshkujt.

Autorët e studimit besojnë se gjetjet e tyre mund të përdoren në trajtimin e çrregullimeve të dëshirës seksuale. Është madje e mundur të krijohen barna për kontroll më të mirë të dëshirës seksuale mashkullore, barna që stimulojnë aromatazën.

Sipas studiuesve, ky trajtim që përqendrohet në rritjen e niveleve të aromatazës mund të rrisë dëshirën seksuale.

Nga ana tjetër, përdorimi i një frenuesi aromatase mund të trajtojë rastet e hiperseksualitetit dhe dëshirës së detyruar seksuale.

Por kujdes sepse një efekt i mundshëm anësor i këtij trajtimi është osteoporoza, një sëmundje e kockave që i bën njerëzit të dobët dhe të brishtë.

Sidoqoftë, studiuesit shpresojnë që zbulimet e tyre do të hapin rrugën për ilaçe të reja, selektive që vetëm lokalisht pengojnë prodhimin e aromatazës duke zvogëluar efektet anësore si osteoporoza. /noa.al