Rritja e kriminalitetit detyron qeverinë të bëjë ndryshime në ligjin për armët
Transmetuar më 13-05-2021, 15:29

Qeveria bën disa ndryshime ligjore për mbajtjen e armëve nga qytetarët dhe kushtet e sigurisë së tyre.

Në vendimin e djeshëm të këshillit të ministrave janë miratuar një sërë ndryshimesh që vijnë direkt pas disa ngjarjesh kriminale të ndodhura në vend dhe paralajmërimit të zv/ kryeministrit Erion Braçe i cili iu referuar rasteve të armëmbajtjes pa leje.

Ndryshimet janë miratuar ditën e djeshme dhe në mungesë të kryeministrit Edi Rama janë firmosur nga Braçe.

Kushtet e sigurisë

Në ligjin për kushtet dhe rregullat e sigurisë së armëve me vendim të këshillit të ministrave përcaktohet se “kushtet e përgjithshme për ruajtjen e armëve të zjarrit, pjesëve kryesore dhe municionit të tyre bazohen sipas numrit të armëve të zjarrit të lejuara për mbajtje, pjesëve kryesore dhe sasisë së municioneve sipas kësaj ndarjeje”

Ndërkohë në shkronjën “D” pas fjalëve për tregtimin e armëve, shtohet edhe deklarimi për tregtim të “pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre të kategorisë “C” dhe “D”. Sipas ligjit transportin e armëve, pjesëve kryesore dhe municioneve mund ta bëjë çdo person fizik dhe juridik me seli në vendin tonë që është licencuar nga Policia e Shtetit.

Pas pikës b. 1 shtohet edhe pika c 1 për sigurinë e armëve të gjahut ku përcaktohet se “poligoni civil qitjeje me pjale është pjesë terreni  e përzgjedhur dhe e përgatitur sipas kritereve standarde për zhvillimin e qitjeve me armët e gjahut”. Ndërkohë në pikë D, përcaktohet se “ambienti duhet të jetë me kushte të tilla që të garantojë që predhat apo saçmet të mos bien në lumenj, rezervate apo liqene.

Në rast se pronari i armës vdes

Brenda 10 ditësh një person i njohur apo i familjar i pronarit të armës duhet të njoftojë në portalin E-Albania ose strukturën e policisë se ku e ka vendbanimin personi që ka ndërruar jetë.  Arma më pas tërhiqet nga punonjësi i policisë së njësisë ku janë regjistruar armët në pritje të një familjari të tij për ta marrë në pronësi. Në momentin e dorëzimit të armës organi përgjegjës pajis dorëzuesin me një vërtetim. Në rast se trashëgimtari është i mitur arma qëndron në polici derisa ai të arrijë në moshën 25-vjeçare.

Regjistrimi i armëve për shtetas të huaj dhe shqiptarë.

Pika 6  e kreut për hyrje, dalje dhe regjistrimi i armëve përcaktohet se kur punonjësi i policisë gjen armë gjatë kontrollit fizik në pika kufitare  duhet ta sekuestrojë atë. Ai duhet të njoftojë për kryerjen e verifikimeve të nevojshme dhe të ndryshojë autorizimin. “Armët, pjesët e armëve dhe municionet të cilat nga kontrolli fizik rezultojnë se nuk kanë një numër serial sekuestrohen nga autoritetet pas kryerjes së veprimeve procedurale penale të nevojshme nga punonjësi i policisë kufitare dhe tërhiqen më pas nga vendi i eksportit”.

Në pikën 9 përcaktohet se municionet e prodhuara dhe të importuara duhet të përmbajnë markimin e plotë që përfshin paketimin me vendin e prodhimit, emrin e prodhuesit, numër identifikimi, vit prodhimi, kalibër dhe llojin e municionit.

Kriteret e markimit përcaktohen në pikën  10-15. “Markimi i armëve të zjarrit të kategorive “B” dhe “C” bëhet për armët e importuara nga të gjitha vendet me destinacion Shqipërinë, pavarësisht shënjimit që kanë nga vendet e origjinës. Përjashtohen nga kjo procedurë armët e importuara nga vendet e BE-së, mbi të cilat një shtet anëtar ka vendosur një markim.”.

Procedurat e markimit nuk aplikohen:

a) për armët e zjarrit dhe pjesët kryesore të tyre të importuara nga vendet e BE-së, nëse nga shteti eksportues janë markuar; b) për armët e zjarrit dhe pjesët kryesore të tyre, të cilat importohen ekskluzivisht për qëllime kërkimore. Në këtë rast armët markohen me inicialet “LB”; c) për armët e zjarrit dhe pjesët kryesore të tyre, të cilat lëvizin transit nëpërmjet territorit të Republikën së Shqipërisë; ç) për armët e zjarrit të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore (armë zjarri antike).”

Çfarë ka ndodhur në vend

Në më pak se 24 orë në vend kanë ndodhur tre vrasje. Në Vlorë dy persona ekzekutuan me breshëri plumbash Bledar Bircajn. Ndërkohë që në orët e mbrëmjes së të hënës në rrugën “5 Maji”, Marius Dema vrau pa dashje shokun e tij Mehmet Qema

Mbrëmjen e djeshme krimi u zhvendos në Elbasan, ku u ekzekutua në makinë 41-vjeçari Everest Çaka në sy të gruas së tij e cila mbeti e plagosur. Disa vite më parë në Spanjë, atij iu ekzekutua vëllai, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar iu vra kushëriri i parë, Arjan Spahiu  në Bruksel.

Një ditë më parë zv/kryeministri Erion Braçe u shpreh me anë të një statusi në rrjetet sociale seka një treg të burgut të viteve për armëmbajtjen pa leje. Braçe shprehet se ky treg duhet shkatërruar me ndëshkim gjithëpërfshirës dhe monitorim dhe kallëzim të çdo rasti që kapet me armë pa leje dhe nuk dënohet me 5 vite burg./K.B/NOA.al