Transmetuar më 13-05-2021, 15:12

Jordan Banks, 9 vjeç, humbi jetën pasi u vra nga rrufeja, në Angli.

Familja e djalit nëntë vjeçar që u vra pasi u godit nga rrufeja gjatë stërvitjes tha se ai ishte "ylli më i ndritshëm" dhe "gjithçka jona".

Jordan Banks mbeti fillimisht i plagosur, kur një stuhi e goditi ndërsa ai ishte duke u stërvitur në një fushë futbolli, në Blackpool të Aglisë, të martën në mbrëmje.

Një deklaratë nga familja e tij tha se “bota u ndal” teksa “humbëm djalin tonë të bukur”.

Ai u dërgua në spital me dëmtime serioze, pasi u godit nga rrufeja rreth orës 17:00 të pasdites, por vdiq pak kohë më vonë, tha Policia e Lancashire.

Familja e tij e përshkroi atë si "të kujdesshëm, të vëmendshëm, bujar dhe po aq të dashur", duke shtuar se me ikjen e tij, “bota është ndalur për ne".

“Ne humbëm yllin më të ndritshëm, djalin tonë të bukur Jordan”.

“Qeshja e tij, sidomos buzëqeshja e çiltër që kishte, kaçurrelat e arta. Ai ishte gjithçka për ne”.

Njerëzit gjithashtu kanë postuar me mijëra mesazhe ngushëllimi në mediat sociale, për nder të tifozit të zjarrtë të Liverpool.

Mesfushori i Liverpool, James Milner, i cili më parë i kishte dërguar Jordanit një video mesazh urimi për përfundimin e një fushate për një organizatë bamirësie të shëndetit mendor, shkroi në Twitter: "Një djalë i veçantë iku shumë shpejt".

Craig England dhe Jane Murphy, bashkë-mësues në Shkollën Fillore të Stanley, ku Jordan ishte pjesë, thanë që të gjithë ishin "plotësisht të mpirë" dhe po aq "të shkatërruar ngaqë nuk do të shohim përsëri fytyrën e gëzuar të [Jordanit]".

Ai ishte një "nxënës i ndritshëm, shpërthyer, i dashur nga stafi dhe nxënësit" dhe ishte një "i ri shumë i vendosur, i dalluar edhe për përpjekjet e tij të bamirësisë", shtuan ata.

Një nga miqtë e tij më të mirë, CJ, dhe babai i tij vendosën lule dhe një top futboll në fushë, në vendin ku 9-vjeçari u godit nga rrufeja.

“Ai ishte shumë i sjellshëm dhe i kujdesshëm. Futbolli ishte shumë i rëndësishëm për të. E donte atë. Ai luante çdo ditë, madje edhe në shkollë me mua" – tha shoku i tij më i mirë.

Stërvitja në fushat e qytetit është pezulluar deri në një njoftim tjetër.

/a.m/NOA.al