Transmetuar më 13-05-2021, 14:07

Dy burra shqiptarë, përkatësisht 46 dhe 58 vjeç si dhe një 51 vjeçar grek, u arrestuan në Glyfada të Greqisë, të akuzuar për vjedhje të vazhdueshme, falsifikim, pastrim parash dhe mosbindje ndaj thirrjeve të policisë.

Prangosja e të dyshuarve u bë nga oficerët e policisë së Departamentit të Sigurisë Syntagma në bashkëpunim me Grupin DI.AS, raporton noa.al.

Gjithçka nisi nga një kurth në të cilin hajdutët ranë vetë. Ata vodhën një automjet dhe u futën në një faqe shitblerjesh në internet duke e nxjerrë në shitje pikërisht makinën e vjedhur.

Por ata nuk e dinin se këto faqe përgjohen edhe nga policia. Ajo pasi mori denoncimin për një makinë të vjedhur, u fut në investigim për të gjetur ç’po bëhej me makinën. Dhe e patën shumë të lehtë sepse me disa klikime e gjetën atë.

Këtu nisi infiltrimi. Makina u gjet e parkuar pranë një godine banimi në Glyfada.

Një makinë tjetër, me targa të huaja ishte parkuar në të njëjtën zonë.

Të dyshuarit, posa panë oficerët e policisë, ishin duke dalë nga ndërtesa e banesës, u përpoqën të shpëtonin duke ia mbathur.

Në arrati e sipër, ata hodhën një çantë që policia më pas pa se ishin 25 mijë euro. Në çantë u gjetën edhe çelësa automjetesh, si dhe matrica për shënimin e targave të shtetit.

Ndjekja e të dyshuarve ishte e shkurtër dhe ata u ndaluan dhe u dërguan në Departamentin e Sigurisë së Sintagmës.

Hetimi nxori se dy makinat e gjetura pranë godinës nga dolën të dyshuarit, ishin të vjedhura. Në një kërkim që pasoi, në një depo në pronësi të 51-vjeçarit, u gjetën dhe konfiskuan, ndër të tjera: shuma prej 52,300 euro, 4 palë targa false makinash, çelësa automjetesh të llojeve të ndryshme dhe dokumente shitblerje makinash.

Të tre të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë Publike të Athinës, raporton noa.al.