Aktori amerikan kundër Izraelit për sulmet në Al-Aksa, Ruffalo: Është koha për sanksione
Transmetuar më 13-05-2021, 08:56

Aktori dhe regjisori amerikan, Mark Ruffalo, ka bërë thirrje për sanksione kundër Izraelit lidhur me sulmin e policisë së këtij vendi ndaj palestinezëve në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor.

“1.500 palestinezë përballen me deportim në Kuds. 200 protestues janë plagosur, nëntë fëmijë janë vrarë. Sanksionet në Afrikën e Jugut kanë ndihmuar në çlirimin e komunitetit me ngjyrë. Ka ardhur koha për sanksione kundër Izraelit për të çliruar palestinezët”, shkroi aktori i famshëm në Twitter, duke përdorur shënimin “#SheikhJarrah”.

Ruffalo po ashtu shpërndau një link me një faqe interneti që nisi mbledhjen e dy milionë nënshkrimeve për vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit dhe ku tashmë janë mbledhur më shumë se 1,7 milion nënshkrime.

Në faqen në fjalë të referimit, ka një mesazh për Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ministrat e jashtëm, parlamentarët dhe liderët, në të cilin theksohet dhuna e kryer nga policia izraelite në rrethin Sheikh Jerrah në Kudsin Lindor të okupuar.

“Trajtimi i popullit palestinez është bërë një njollë në ndërgjegjen e botës. Është koha që sanksionet të vendosen ndaj industrisë izraelite derisa palestinezëve t’u jepen të drejta civile të plota dhe të barabarta”, thuhej më tej në mesazh./K.B/NOA.al