Transmetuar më 12-05-2021, 16:20

Pas infektimit me Covid-19, pjesa më e madhe e pacientëve të prekur ankohen se kanë humbur shijen dhe nuhatje, simptoma këto që iu faturuan virusit, që në fillim të pandemisë.

Sipas ekspertëve, dy simptomat më të dukshme lidhen direkt me prekjen nga virusi të sistemit qendror nervor, me një shtrirje në kohë që shkon nga disa javë në 6 muaj, por ka edhe raste të studiuara, ku pacientë të shëruar nuk i janë rikthyer normalitetit edhe një vit pas infektimit.

Doktor Altin Kuqo, mjek neurolog në QSUT, thotë se dy simptomat, për të cilat ankohen më shumë qytetarët, janë bazike, pasi dëmtimet e shkaktuara nga Covid-19 në tru kanë qenë shumë më tepër komplekse.

Mjeku thotë se shkenca nuk ka dalë ende në përfundime për demet afatgjata post Covid, porse ka dyshime se një pjesë e dëmtimeve të trurit mund të jenë të parikthyeshme.

Por a është virusi Covid-19 shkaku i dëmtimit të kujtesës afatshkurtër, një tjetër shqetësim madhor post Covid?

Mjeku thotë se ndikimi i virusit në tru është njëra anë e medaljes, ndërsa ana tjetër ka lidhje me stresin dhe panikun e shkaktuar që në nisje të pandemisë.

Sipas mjekut, kura më e mira është shkëputja nga realiteti i përditshëm për një periudhë kohe dhe relaksimi i trurit dhe i trupit në mes të gjelbërimit dhe ajrit të pastër. /bw