Grabitësit i vranë gruan përpara syve, burri rrëfen momentet e ngjarjes së tmerrshme
Transmetuar më 12-05-2021, 14:08

Burri i 20-vjeçares me shtetësi britanike, që mbeti e vrarë pas grabitjes nga disa persona të maskuar, ka rrëfyer tmerrin që ka kaluar familja e tij nga hajdutët vrasës.

Charalambos Anagnostopoulos, 33-vjeçari që punonte si pilot helikopteri, ishte duke fjetur me bashkëshorten Caroline Crouch, një studente 20-vjeçare dhe me vajzën e tyre 11-muajshe, kur disa persona të maskuar hynë në banesë rreth orës 5 të mëngjesit.

Anagnostopulos i tha policisë se grabitësit ishin të maskuar dhe armatosur me pistoleta. Ata në fillim lidhën burrin në dysheme dhe më pas lidhën Caroline-n në shtrat, e nisën që të kërkojnë paratë. I riu deklaroi se kishte një shumë të madhe parash në banesë, për shkak se kohët e fundit familja kishte shitur një tokë dhe se do paguheshin punëtorët që po riparonin banesën.

Anagnostopoulos deklaroi se iu tregoi hajdutëve se ku ishin paratë, për të ndaluar torturën që ata po i bënin bashkëshortes. Mirëpo, hajdutët kërkuan më tepër para e bizhuteri, e presioni po rritej, duke i vënë pistoletën në kokë foshnjës.

Sipas 33-vjeçarit, grabitësit e mbytën bashkëshorten e tij me një palë pantallona.

“Kam dëgjuar gruan time e lidhur në shtrat që bërtiste për ndihmë ndërsa unë isha i lidhur në dysheme. Foshnja po qante, gruaja ime po thërriste për ndihmë, ndërsa hajdutët po kërkonin në shtëpi për të gjetur më shumë para dhe bizhuteri. Papritmas ata u larguan nga dhoma dhe unë nuk mund ta dëgjoja më zërin e gruas sime”, tha ai./K.B/NOA.al