PD raporton në KQZ: Politikanë dhe banditë bashkëpunuan për të blerë votat
Transmetuar më 12-05-2021, 11:19

Përfaqësues të PD-së janë ankuar në KQZ, në lidhje me procesin zgjedhor në qarkun e Gjirokastër, duke u shprehur se ka pasur parregullësi të evidentuara.

Sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike, drejtues e ish-drejtues policie, në bashkëpunim me kriminelë kanë blerë votat në qarkun jugor, duke deformuar vullnetin qytetar.

“PS në qarkun e Gjirokastër kishte drejtues politik Bledar Çuçin, i renditur i katërti në listën shumëemërore. Drejtori i Fushatës ishte shtetasi Arianit Arapi, ish-shefi i Policisë, i hetuar për lidhje me drogën dhe bandën famkeqe të Shullazit. Lidhja mes Çuçit dhe Arapit daton që nga viti 2017, kohë kur Çuçi kandidonte si deputet për qarkun e Gjirokastrës dhe Arapi mbante funksionin e drejtorit të Policisë së qarkut të Gjirokastrës duke u përfshirë drejtpërdrejtë në manipulimin e votave. Sipas informacioneve zyrtare të SHISH dhe Policisë së Shtetit, ky shtetas në bashkëpunim me Andrea Çaushin, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Kalivaç të Tepelenës, madje kanë penguar forcat policore për të monitoruar këtë zonë. Ky shtetas së bashku me persona me rekorde të rënda kriminale nga Fushë-Kruja, të lidhur me bandën e Shullazit, si dhe me bashkëpunimin e drejtorit të Policisë Përmet Ermir Gërxhani kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në Përmet.

Një tjetër person me rekorde kriminale është vëllai i kryetarit të PS Tepelenë, Dino Selimi, i cili ka shërbyer si transportues për narkotikët nga zonat malore të Tepelenës në qytetin bregdetar të Vlorës. Sokol Feruni është një tjetër person me rekorde të tmerrshme kriminale për kultivimin e narkotike që është përfshirë drejtpërdrejtë në fushatën e Bledar Çuçin. Ky shtetas në bashkëpunim me vëllain e tij dhe shtetasin Andi Shkurta janë të njohur për lidhjet e tyre kriminale. Për shkak të lidhjeve të mësipërme këta shtetas kanë zbatuar një skemë kriminale të blerjes së votës. Sic jemi në dijeni në kohën kur Ministër i Brendshëm ishte Tahiri, prokurorët e Krimeve të Rënda dërguan në gjykatë një pjesë të anëtarëve të grupit, por shpëtuan Arianit Arapi dhe Ermir Grexhani, që ishin drejtues të policisë Gjirokastër dhe Përmet. Në shkurt të 2021 Arianit Arapi pasi ishte larguar nga Policia e Shtetit për shkak të lidhjeve me element kriminal, u emërua këshilltar i Ministrit të Brendshëm dhe drejtues i Fushatës së PS në Gjirokastër”, thanë përfaqësuesit e PD./K.B/NOA.al