Sllovakia heq dorë nga përdorimi i vaksinës AstraZeneca
Transmetuar më 12-05-2021, 06:29

Sllovakia vendosi të heq dorë nga përdorimi i vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit, pasi një person i vaksinuar me këtë vaksinë, vdiq nga mpiksja e gjakut.

Ministria e Shëndetësisë tha se vetëm njerëzit e vaksinuar me dozën e parë, do të marrin, nëse duan, dozën e dytë të AstraZeneca-s.

Ministri i Shëndetësisë, Vladimir Lengvarsky tha se Sllovakia rishikoi strategjinë e vaksinimit, pas mpiksjes fatale të gjakut te një grua 47 vjeçare që u vaksinua me AstraZeneca.

Disa vende të Bashkimit Evropian e kanë kufizuar përdorimin e AstraZeneca-s vetëm te njerëzit më të moshuar, pas konfirmimit se ekziston një lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes shumë të rrallë të gjakut te disa njerëz, kryesisht më të rinj.

Agjencia Evropiane e Barnave, megjithatë, ka deklaruar se përfitimet nga vaksina AstraZeneca janë më të mëdha se rreziqet.